Nëse ju pëlqejnë gatimet e shpejta e shumë shije, atëherë kjo recetë është e duhura për ju.

Po flasim për qoftet, të cilat janë sa tradicionale aq edhe të preferuara e të përdorura kudo.

Shijen e mirë të mishit me erëza nuk mund ta mundë asgjë.

E nëse po kërkoni përbërësin perfekt që shkon me to, patatet janë zgjidhja e duhur.

Në këtë recetë nga AgroWeb.org ju sugjerojmë të provoni recetën e mrekullueshme të patateve të furrës, shoqëruar me qofte shtëpie.

Ndiqni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj recete shumë të veçantë e plot shije.

Përbërësit

4-5 patate mesatare

200 gr mish i grirë

gjysmë qepe

rigon

1 e verdhë veze

kripë

piper i zi

tuli i një fete buke

një tufe majdanoz

2-3 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të filloni me përgatitjen e qofteve tuaja.

Në një enë të thellë përzieni qepën e grirë, mishin, tulin e bukës të lagur me pak ujë, të vërdhën e vezës, majdanozin e grirë, kripën dhe piperin.

Sipas dëshirës ju mund të shtoni edhe erëza të tjera të cilat i përdorni zakonisht tek gatimi i qofteve.

Punojini të gjithë këta përbërës me duar, derisa të formohen qoftet dhe ndajini në toptha të vegjël.

Vendosini në një pjatë të madhe dhe lërini mënjanë teksa vazhdoni me përgatitjen e patateve.

Qëroni dhe prisni patatet në rrathë mesatarë, me trashësi 2-3 cm dhe shtrojini në një tavë të mbuluar me letër pjekje.

Spërkatini me vaj ulliri, pak kripë dhe rigon sipas dëshirës.

Në fund shtoni një nga një qoftet që përgatitët më parë.

Tavën futeni në furrë dhe lëreni të piqet në temperaturën 200-220 gradë për 30-40 minuta.

Derisa të shikoni që qoftet janë pjekur dhe patatet janë zbutur.

Më pas nxirreni tavën nga furra, lëreni të ftohet pak dhe shërbejni qoftet e patatet tuaja të ngrohta duke i shoqëruar me pak sallatë./AgroWeb.org