Specat gogozhare janë ndër produktet me të cilat çdo amvisë shqiptare mund të shpalosë talentin e saj.

Të përgatitura në kavanoza ato gjenden në çdo dyqan, por më të shijshmet janë ato që përgatiten në kushtet e shtëpisë.

Specat gogozhare, sipas të dhënave të AgroWeb.org përmbajnë shumë vitaminë C, më shumë sesa limonat, ndaj konsumi i tyre i bën shumë mirë organizmit.

Ideale janë specat e kuq të rrumbullakët, tipike të Korçës, por edhe specat e tjerë të kuq me tul të plotë janë shumë të përshtatshme.

Ndiqni më poshtë recetën nga AgroWeb.org dhe në vetëm 10 minuta ose edhe më pak mund të bëni gogozharet më të shijshme që keni provuar. Ju duhet të keni një tenxhere me presion që përgjithësisht gjendet në shtëpitë e amvisave shqiptare.

Nëse nuk keni tenxhere me presion mund të përdorni tenxhere të zakonshme por do të duhet më shumë kohë për përgatitjen derisa sa specat të zbuten.

Përbërësit

5-6 speca të kuq në mënyrë që tenxherja të mos mbushet plot

4-5 thelpinj hudhra ose më shumë, sipas shijes

Piper i zi, preferohet kokërr

1-2 gjethe dafine nëse dëshironi

1 filxhan kafe vaj ulliri

1 filxhan kafe uthull

Kripë sipas dëshirës

Përgatitja

Pastroni specat duke u hequr bishtin dhe farat me kujdes, pa u prishur formën. Lajini me ujë të bollshëm.

I vendosim specat në tenxheren me presion, u hedhim kripën, kokrrat e piperit, thelpinjtë e qëruar të hudhrës.

Thelpinjtë mund t’i lini të plotë ose të prerë, sipas dëshirës.

Shtojmë gjethet e dafinës.

Më pas shtojmë vajin e ullirit dhe uthullën e cila mund të jetë uthull rrushi ose molle.

AgroWeb.org rekomandon uthullën e mollës.

Mbylleni tenxheren me presion dhe vendoseni në zjarr mesatar.

Pas pak minutash, tenxherja fillon zhurmën karakteristike të presionit.

Nga ky moment lereni të qëndrojë edhe 2-3 minuta të tjera në zjarr e më pas hiqeni.

Specat gogozhare duhet të jenë gati, por kontrollojeni me nje pirun nëse është fortësia që doni.

Nëse i preferoni më të buta mund t’i lini dhe 2-3 minuta të tjera në zjarr duke bërë kujdes të mos e lini më shumë pasi mund të digjen.

Pasi ftohen, mund t’i shtoni vaj ulliri dhe uthull gjatë servirjes nëse dëshironi./AgroWeb.org