Gatimet e gjysheve janë padyshim jo vetëm më të mirat për shijen por edhe më të dashurat për shpirtin.

Gjellë e supa të ndryshme, petulla e byrekë, ëmbëlsira e reçelra të ndryshëm që të gjitha me shije të mrekullueshme që vështirë se të hiqen nga mendja.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë një nga mënyrat e gjysheve në përgatitjen e supës.

Me mjeshtërinë e tyre në gatim, gjyshet përdorin gjithçka ndodhet në kuzhinë për t’i shndërruar në pjata të mrekullueshme.

Sidomos në përgatitjen e supave mjafton disa përbërës në kuzhinë për të përgatitur një gatim vërtetë fantastik.

Supa e Gjyshes

Mish pule (pjesa e gjoksit)

2 kokrra patate mesatare

1 qepë e vogël

2 – 3 karrota

1 kokërr domate

Piper i zi

Vaj Ulliri

Gjalpë

Përgatitja

Vendosni në një tenxhere të vogël mishin e pulës me pak kripë e pak gjalpë dhe vendoseni në zjarr që të ziejë përreth 20-25 minuta.

Ndërkohë, pastroni nga lëkura patatet dhe karrotat, prijini në kubikë të vegjël, ndërsa qepën grijeni shumë hollë.

Vendosni një tenxhere në zjarr.

Shtoni dy lugë vaj ulliri, shtoni aty qepën e grirë hollë dhe kaurdisini derisa volumi i qepës të bjerë.

Shtoni në vijim patatet dhe karrotat e grira.

Kaurdisini të gjitha bashkë, e më pas shtoni domaten e grirë në një rende kuzhine.

Vijoni t’i kaurdisni e më pas shtoni lëngun me të cilin zjetë mishin e pulës.

Mishin e pulës ndajeni në fije-fije dhe lëreni për në fund.

Supën lëreni të ziejë derisa karrotat dhe patatet në zbuten, më pas hiqeni supën nga zjarri dhe përmes një luge druri shtypini përbërësit. Supa do të bëhet pak kremoze dhe e njëtrajtshme.

Aroma e gatimeve të gjysheve nuk ka kuptim pa pak gjalpë të tretur, të cilin ato kujdesen ta përdorin në çdo gatim të kripur.

Vendosni një tigan në zjarr, shtoni një lugë gjalpë dhe lëreni të tretet, më pas shtoni aty mishin e pulës që keni bërë fije-fije. Kaurdisini bashkë me gjalpin e tretur.

Kur të servirni supën nëpër pjata shtoni nga pak nga mishi i pulës i kaurdisur me gjalpë dhe spërkateni me pak piper ose erëza të tjera sipas dëshirës./AgroWeb.org