Ditët e ftohta duan edhe pak të largohen përfundimisht.

Por ana pozitive është se mund të shijoni edhe për disa javë gatimet e ngrohta dhe plot shije.

E tillë është edhe kjo supë e cila bashkon të gjitha perimet më të mira të stinës me thjerrëzat plot minerale dhe vitamina.

Një kombinim i tillë është perfekt për të nxitur sistemin imunitar pasi është plot me vitaminë C.

Duke qenë se kjo recetë përgatitet për vetëm 30 minuta ju lehtëson shumë nëse nuk keni shumë kohë për drekën apo darkën.

AgroWeb.org ju sugjeron që të ndiqni hapat e mëposhtëm për t’u mrekulluar me aromën dhe shijen e saj.

Përbërësit

85g thjerrëza

2 karota të prerë në copa të vogla

3 selino të prerë

3 lugë gjelle me salcë domateje

3 thelpinj hudhër

1 lugë gjelle me majdanoz të grirë

2 lugë gjelle vaj ulliri

Kripë

Piper i zi

Përgatitja

Pasi të keni larë dhe qëruar të gjitha perimet filloni t’i prisni në copa të vogla.

Të gjitha perimet bashkë me thjerrëzat vendosini në një tenxhere.

Aty shtoni salcën e domates, thelpinjtë e hudhrës të prera ose të shtypura, në varësi të shijes suaj, dhe në fund vajin e ullirit dhe erëzat.

HIdhni edhe një litër e gjysmë me ujë të zier dhe më pas përziejini mirë përbërësit me një lugë druri.

Tenxhere lëreni të ziejë për 30 minuta në zjarr mesatar derisa perimet të zbuten tërësisht.

Më pas mjafton që ta lini të ftohet pak supa dhe kur ta shërbeni ta spërkatni me majdanozin e freskët që e keni grirë më parë.

Nëse supën e preferoni më të trashë, mund t’i shtypni me blender perimet e më pas ta lini të ziejë edhe për 5 minuta.

Por e mira është që perimet të ruajnë disi formën e tyre për t’i dhënë shijen e duhur supës./AgroWeb.org