Supë Krem Karrote me Rozmarinë dhe Kos – Shije dhe Shëndet i Mirë

1.8k 0

Supa është një ushqim shumë i shijshëm dhe i shëndetshëm për organizmin, sidomos për njerëzit që duan të humbasin kilogramët e tepërt.

Një pjatë me supë perimesh ofron shumë ushqyes të rëndësishëm siç janë proteina dhe fibra të cilat jo vetëm mbajnë urinë larg por edhe përmirësojnë tretjen.

Supat kanë një avantazh tjetër të rëndësishëm për shëndetin dhe shijen në përgjithësi.

Ato nuk bëhen kurrë të mërzitshme për sa kohë zgjidhni perime dhe erëza të ndryshme.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni recetën e një supe të shijshme me karrotë, rozmarinë e kos e cila jo vetëm ju ngop por edhe ju furnizon me ushqyes të rëndësishëm.

Përbërësit:

  • 2 lugë gjelle me vaj ulliri,
  • 1 qepë mesatare të grirë hollë,
  • 1-2 presh (vetëm kërcenjtë e bardhë) të prerë në copa,
  • 500 gramë karrota të prerë në kubikë
  • Disa degë rozmarine të freskët
  • 1 gjethe dafine,
  • 2 litra me lëng pule ose perimesh
  • Kripë, piper dhe spec djegës,
  • Gjysëm filxhani me kos

Përgatitja:

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe shtoni vajin e ullirit.

Kur ai të jetë ngrohur pak, shtoni qepët dhe copat e preshit dhe kaurdisini deri sa të zbuten plotësisht.

Më pas shtoni karrotat, rozmarinën, dafinën, lëngun e mishit të pulës apo perimeve, kripën, piperin dhe specin djegës.

Lërini të marrin valë dhe më pas vendosni kapakun e tenxheres.

Supa duhet të ziejë për rreth një orë.

Më pas, hiqeni tenxheren nga zjarri. Me një lugë druri hiqni rozmarinën dhe gjethen e dafinës.

Kur lëngu të jetë ftohur mjaftueshëm, hidhini të gjithë përbërësit e supës në mikser dhe punojini deri sa të përgatisni një pure kremoze.

Sipas dëshirës, ju mund të shtoni edhe pak ujë për ta bërë lëngun më të hollë.

Purenë e perimeve hidheni sërish në tenxhere dhe vendoseni në zjarr.

Kontrollojeni nëse supa ka nevojë për më shumë kripë e piper.

Supën mund ta servirni në pjatë duke vendosur në sipërfaqe një lugë gjelle me kos të trashë ose copa katrore buke të thekur./AgroWeb.org