Supë Kremoze me Lulelakër të Pjekur – Receta Plot Vlera për Shëndetin

976 0

Lulelakra është një perime shumë e shëndetshme për njeriun.

Lulelakra shpesh përshkruhet si një ushqim shumë i pasur në vlera por jo të gjithëve u pëlqen.

Megjithatë, përshkrimi i fundit nuk vlen aspak nëse di ta gatuash në mënyra të ndryshme.

Lulelakra përmban antioksidantë të cilët janë thelbësorë për sistemin imunitar.

Lulelakra është e pasur me vitaminë B1, B2, B3, B5, B6, B9, C, Omega-3 dhe vitaminë K.

Ajo i bën mirë shëndetit të zemrës, sistemit tretës por edhe ndihmon në pastrimin e gjakut dhe në rënien nga pesha.

Lulelakra është një nga perimet më të shëndetshme për tu transformuar në një supë të shijshme e plot vlera për organizmin.

Lulëzat e kësaj perimeje të shëndetshme mund të zihen për pak minuta dhe më pas mund të futen në mikser duke u transformuar në një pure të shijshme.

Supë Kremoze Me Lulelakër, Djathë, Hudhër e Qepë të Njoma

Në këtë artikull të AgroWeb.org, do të mësoni recetën e një supe kremoze me lulelakër, erëza dhe djathë.

Përbërësit:  

  • 1 lulelakër
  • 1 qepë e madhe e grirë hollë,
  • 6 thelbinj hudhër,
  • 2 lugë gjelle vaj ulliri,
  • 5 filxhanë lëng pule ose perimesh
  • 2 lugë çaji majdanoz, trumzë ose rozmarinë
  • Gjysëm filxhani me krem pana
  • 2 lugë gjelle qepë të njoma të prera hollë,
  • Gjysëm filxhan proshute të skuqur e të prerë në copa të vogla
  • Çerek filxhani me djathë kaçkavall ose parmixhan të grirë hollë.

Përgatitja:

Ndizeni furrën në 220 °C.

Në një tavë shtroni një letër pjekjeje dhe yndyroseni lehtë.

Ndajeni lulelakrën në tufëza të vogla dhe përziejini me qepët dhe hudhrën.

Më pas hidhini në tavë dhe spërkatini me kripë, piper dhe vaj ulliri.

Piqini për 15 minuta në secilën anë, deri sa lulelakra të karamelizohet.

Pas pjekjes, tufëzat e lulelakrës hidhini në tenxhere, shtoni lëngun e perimeve ose të mishit të pulës, erëzat dhe barishtet.

Lërini të ziejnë për 15 minuta duke i përzier herë pas here.

Hiqeni tenxheren nga zjarri, prisni pesë minuta dhe më pas përbërësit e supës hidhini në një mikser që ajo të bëhet sa më kremoze.

Shtoni kremin pana dhe përziejini sërish n mikser dhe më pas transferojeni në tenxhere.

Kontrollojeni për kripë dhe piper dhe servireni duke hedhur sipër saj copat e proshutës, barishtet jeshile të qepës së njomë dhe djathin kaçkavall dhe parmixhan. Ju bëftë mirë/AgroWeb.org