Një recetë me shije fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese.

Është koha ideale për t’u përgatitur dhe për ta shijuar duke rigjallëruar organizmin dhe trupin.

E ngrohtë dhe e shijshme, ajo shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të freskëta të stinës, bukë të thekur, byrekë shtëpie por edhe turshi të ndryshme apo edhe salca etj.

Përgatitja e Supës me Patate dhe Kungull Dimri

Përbërësit

600 gr kungull dimri

2 kokrra patate mesatare

1 lugë gjelle miell gruri

600 ml lëng pule (në mungesë të lëngut të pulës mund të përdorni ujë)

100 ml qumësht

2-3 feta xhenxhefil (nëse dëshironi)

2 lugë gjelle gjalpë i freskët

1 lugë gjelle vaj ulliri

Pjesa e bardhë e një preshi

1 kokërr qepë

Kripë

Piper

Majdanoz ose koper (sipas dëshirës)

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të pastroni dhe qëroni kungullin dhe patatet dhe më pas t’i prisni në kubikë dhe lërini mënjanë.

Vendosni një tenxhere në zjarr, shtoni gjalpin dhe vajin e ullirit.

Kaurdisni aty qepët e grira bashkë me pjesën e bardhë të preshit të grirë hollë gjithashtu.

Sapo të ulet volumi i qepëve dhe preshit shtoni kungullin dhe patatet e prera në kubikë të vegjël.

Kaurdisini të gjitha bashkë për disa minuta derisa kungulli dhe patatet të zbuten.

Më pas shtoni miellin, kaurdiseni me përbërësit që janë në tenxhere dhe më pas shtoni  lëngun e pulës.

Nëse preferoni në këtë moment mund të shtoni edhe dy tre feta xhenxhefili për më shumë shije dhe aromë. Shtoni kripë dhe piper.

Lëreni supën të ziejë në zjarr mesatar derisa të gjithë përbërësit të zbuten tërësisht.

Në fund, supën kalojeni në mikser derisa masa të bëhet kremoze. Në shtojini dhe qumështin, përzjeheni dhe vendoseni sërish në zjarr për 5-6 minuta.

Serviret e ngrohtë, e spërkatur sipas dëshirës me pak kopër apo majdanoz të grirë hollë si dhe me disa pika gjalpi të shkrirë./AgroWeb.org