Janë të shumta recetat në përgatitjen e thjerrëzave. Një nga të cilat, më shije plota e pasur me vlera ushqyese është padyshim supa me thjerrëza dhe mish pule e perime.

Sigurisht, kombinimi i të gjithë përbërësve ofron një shije speciale që kënaq gjithë organizmin por nga ana tjetër i dhuron atij edhe shumë vlera shëndetësore gjithashtu.

Krahas shijes së përsosur, kjo supë është fantastike edhe në efektet mbrojtëse që ka kundër virozave dhe gjendjes gripale.

Për të përfituar maksimalisht nga vlerat mbrojtëse të kësaj supe, AgroWeb.org sugjeron një recetë të lehtë për përgatijen e saj në kushtet e shtëpisë.

Përgatitja e Supës me Thjerrëza dhe Mish Pule

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4 persona)

Pjesa e gjoksit të një pule

3-4 lugë gjelle me vaj ulliri ekstra të virgjër

2 karrota

1 patate

2 thelpinj hudhër

1 kokërr qepë e vogël

Gjysëm luge me spec djegës pluhur

1 filxhan çaji me thjerrëza

Dy lugë gjelle salcë domate

6-7 gota me ujë

Kripë

Gjysëm luge çaji me piper të zi të bluar

Lëngu i një limoni

Majdanoz i freskët

Udhëzimet

Si fillim pastroni mishin e pulës tek pjesa e gjoksi përmes një thike duke i larguar kockat.

Ndajeni mishin në kubikë të vegjël apo fije të holla.

Më pas, në një tenxhere shtoni vajin e ullirit, pasi të jetë ngrohur shtoni mishin e copëtuar të pulës dhe kaurdiseni për pak.

Më pas shtoni, qepën e grirë dhe karrotat e grira, kaurdisni derisa volumi i qepës të bjerë.

Shtoni thjerrëzat, karrotat, patatet, specin djegës, kripën dhe piperin dhe hidhni 6-7 gota me ujë.

Lërini të ziejnë për 25-30 minuta me kapak të mbyllur.

Qëroni dhe shtypni thelpinjtë e hudhrës. Lërini mënjanë për 5-10 minuta që të çlirojnë të gjithë substancat mirëbërëse.

Hudhrën e shtypur shtojeni tek supa kur të jetë gati dhe lëreni të ziejë edhe për 5 minuta të tjera. Shërbehet e ngrohtë dhe spërkatet me majdanoz të grirë hollë dhe lëng limoni.

Vlerat shëndetësore

Supa me thjerrëza është një burim i mirë proteinash dhe fibre. Çdo racion i kësaj supe përmban 11.1 gramë fibër që plotëson një pjesë të rëndësishme të dozës prej 25-38 gramë të fibrës që duhet të konsumoni çdo ditë.

Fibra i bën mirë sistemit tretës dhe zorrëve, duke parandaluar diarenë, konstipacionin dhe sëmundje të tjera të aparatit tretës.

Një racion me supë me thjerrëza plotëson pothuaj të gjithë nevojën tuaj ditore për hekur./AgroWeb.org