Orizi është nga të paktat ushqime me të cilat kuzhinierët nuk preferojnë të eksperimentojnë shumë.

Sidomos në shtëpi ku shpesh mund të mjaftoheni vetëm me disa përgatitje të tij të cilat dhurojnë një shije padyshim të mirë, por të thjeshtë.

Nëse po mendoni për një recetë që mbetet gjatë në memorie dhe shqisa, ndiqni këtë tavë të veçantë orizi sipas AgroWeb.org.

Do ju duhen përbërës të cilët mund të mos i përdorni shpesh bashkë, por në fund rezultati do ju mrekullojë.

Tava me oriz, perime, vezë dhe salcë domatesh është një recetë që duhet ta kenë të gjithë në menunë e tyre, ndaj ndiqeni në vijim të këtij artikulli.

Përbërësit

300 gr oriz

700 ml salcë domatesh

1 qepë

130 gr bizele

2 vezë

150 gr mocarela ose djathë i bardhë

60 gr djathë kaçkavall i grirë

Vaj ulliri

Kripë

Borzilok

Përgatitja

Në një tigan shtoni bizelet të cilat mund të jenë edhe të ngrira.

Po aty shtoni gjysmë gote me ujë, kripë dhe një lugë vaj ulliri.

Lërini të gjitha të gatuhen për 10 minuta në zjarr mesatar derisa uji të ketë avulluar plotësisht.

Ndërohë përgatisni vezët, vendosini dhe ato të ziejnë në një tenxhere me ujë të ftohtë për 15 minuta e më pas lërini të ftohen.

Në një tjetër tigan që nuk ngjit, shtoni qepën e grirë në kubikë mesatarë bashkë me pak vaj dhe përziejini herë pas here.

Shtoni aty edhe bizelet, lërini disa minuta në zjarr dhe shtoni salcën e domateve, bashkë me kripën, borzilokun dhe sërish pak vaj ulliri.

Përzieni me kujdes dhe lërini të skuqen për 10-15 minuta të gjitha bashkë.

Ndërkohë zieni orizin siç bëni zakonisht, do ju duhet 15 minuta ose pak më shumë në varësi të orizit.

Kur orizi të jetë gati bashkojeni tek tigani me salcën që përgatiët dhe përzieni mirë të gjithë përbërësit.

Sipas dëshirës mund të shtoni sërish kripë e më pas ta hidhni orizin të gjithin në një tavë qeramike ose qelei për ta pjekur.

Sipas spërkateni me pak djathë të bardhë ose disa feta nga djathi i butë mocarela.

Mos harroni të prisni në feta të holla edhe vezët që ziet më parë dhe t’i shtroni nëpër të gjithë sipërfaqen e tavës tuaj.

Pasi të keni mbaruar me këta përbërës, përfundojeni tavën me një shtresë djathi kaçkavall të grirë në mënyrë uniforme.

Në fund futeni tavën të piqet në furrë të ngrohtë për 20 minuta në temperaturën 180 gradë.

Shijojeni të ngrohtë në racione të prera në katrorë të vegjël./AgroWeb.org