Patëllxhanët me siguri janë të preferuarit e çdo kujt që gatuan pasi mund t’i kombinoni thuajse me çdo gjë.

Tava me patëllxhanë mund të themi se është ndër më të njohurat dhe AgroWeb.org sot ju sugjeron një ide të re se si mund ta përgatisni atë.

Ndiqni më poshtë recetën e plotë dhe shijojeni në shtëpitë tuaja.

Përbërësit

400 gr patëllxhanë

230 gr petë sfoliatë

250 gr djathë kaçkavall i butë

100 gr domate të thata

100 gr djathë kaçkavall i grirë

Piper i zi

Kripë

Vaj ulliri

Përgatitja

Për të përgatitur këtë recetë AgroWeb ju këshillon të prisni në feta të holla patëllxhanët bashkë me djathin kaçkavall.

Çdo fetë patëllchani nuk duhet të jetë më e trashë se 4 mm, pra shumë të hollë.

Po aty vazhdoni duke grirë në kubikë të vegjël domatet e thata ndërkohë bëni gati një tavë pjekje.

Zgjidhni një tavë 30×20, lyejeni me vaj dhe vendosni me kujdes petën e parë sfoliatë.

Hapeni atë nëpër të gjithë tavën dhe shponi me pirun nëpër sipërfaqen e saj.

Sipër shtroni një nga një patëllxhanët derisa të formoni edhe me to shtresën e parë duke mos lënë hapërsira boshe.

Shtoni pak kripë dhe piper të zi dhe vazhdoni duke hedhur gjysmën e domateve që përgatitët më parë.

Hidhni djathin e grirë kaçkavall në mënyrë uniforme sipër domateve të thata dhe po aty vendosni fetët e tjera të djathit kaçkavall.

Vazhdoni sërish edhe me një shtresë të dytë e cila duhet të përmbajë patëllxhanët, pak kripë e piper, domatet e thata, djathë të grirë kaçkavall dhe fetat e djathit të butë kaçkavall.

Në këtë recetë bëni kujdes me sasinë e kripës që do të hidhni duke qenë se djathi kaçkavall dhe domatet e thata zakonisht janë të kripura.

Pasi të keni mbaruar me shtresën e fundit të djathit kaçkavall në feta, mundohuni të mbyllni pjesët e petës sfoliat që kanë mbetur jashtë tavës.

Futeni atë të piqet në temperaturën 180 gradë për 40 minuta ose derisa të marrë ngjyrë të artë.

Kur ta nxirrni nga furra priteni në racione dhe shijojeni sipas dëshirës./AgroWeb.org