Në kërkim të një recete të veçantë dhe të shpejtë për t’ju ofruar lexuesve tanë, ne të AgroWeb.org krijuam një kombinim të shijshëm.

Tavën me oriz jemi mësuar që ta përgatisim me mish apo me perime për t’i dhënë një shije të mirë.

Me pjatën që ju sugjerojmë të provoni një tjetër kombinim po me shije unike.

Kungujt e njomë të kombinuar me pana dhe vezë do të krijojnë një masë kremoze e cila kur piqet me orizin ruan butësinë e saj fantastike.

Perfekte për një drekë të plotë me familjen si dhe për të provuar diçka të re.

Ndiqni këshillat e shkurtra të shpjeguara në recetë dhe përgatiteni që sot këtë pjatë me aromë të mrekullueshme.

Mjaftojnë vetëm disa hapa dhe do të kënaqni të dashurit tuaj.

Përbërësit:

320 gr oriz

500 gr kunguj të njomë

2 kokrra qepë

3 kokrra vezë

4 lgj pana gatimi

5 lgj vaj ulliri

Kripë dhe piper i zi

Rozmarinë

Arrë myshku

Përgatitja:

Ziejmë orizin vetëm për 8 minuta, e kullojmë dhe e lëmë të ftohet.

Ndërkohë grijmë kungullin në rende.

Në një tigan me 2 lugë gjelle vaj ulliri kaurdisim qepën të grirë hollë vetëm për 5 minuta.

Vendosim në një tas orizin gjysmë të zier, qepën e kaurdisur, 2 lugë gjelle vaj ulliri, djathin e grirë në rende dhe kungullin e grirë e më pas i përziejmë mirë.

Në një tas rrahim 3 kokrra vezë me panën dhe i përziejmë mirë.

Shtojmë erëzat, kripë, piper të zi, arrë myshku, rozmarinë dhe i trazojmë mirë.

Bashkojmë 2 tasat në një të vetëm (orizin me vezët).

I përziejmë mirë dhe i shtojmë në një tavë duke i niveluar mirë.

Vendosim tepsinë në furrë të parangrohur në temperaturën 180ºC për 25-30 minuta.

Mund ta shoqëroni me sallatë me perime të freskëta apo me tarator për një shije akoma edhe më të mirë./AgroWeb.org