Tani që jemi në mes të stinës së verës është pothuaj e pamundur që të mos kemi kungulleshka ngado.

AgroWeb.org ju tregon në këtë artikull tre receta speciale, ku kungulli i vogël është përbërësi kryesor, të cilat duhet t’i provoni patjetër.

Të shijshme dhe të shpejta, recetat do t’i japin një tjetër pamje tryezës suaj.

Për mëngjes, drekë dhe një nga ëmbëlsirat më të shijshme që do të provoni.

Ndiqni me kujdes hapat dhe do të kënaqni nepsin tuaj por dhe do të surprizoni familjarët tuaj.

Për mëngjesin me shije perfekte: Petulla me Kungulleshka

Përbërësit

500g miell

1 vezë

12g maja e freskët

300ml ujë

3-4 kungulleshka

Kripë

Përgatitja

Grini dhe shtrydhni lehtë kungulleshkat për t’i larguar ujin e tepërt.

Në një tas hidhni majanë dhe 3-4 lugë gjelle me ujë të vakët.

Ndërkohë në një enë tjetër rrihni vezën dhe miellin me kripën duke shtuar ngadalë ujin.

Bashkoni edhe ujin me majanë dhe përziejeni mirë brumin.

Në fund shtoni dhe kungulleshkat e grira dhe brumi është gti.

Vendosni në zjarr një tigan me vaj për skuqje dhe hidhni brumin me një lugë gjelle.

Kur petullat të jenë skuqur shërbejini të ngrohta me djathë.

Për një drekë të shëndetshme: Lazanja me Kungulleshka

Përbërësit

Vaj ulliri

4 thelbi hudhër

4-5 kungulleshka

100ml salcë domateje

150g djathë kaçkavall

250g mish të grirë

1 qepë

1 karotë

Kripë

Piper i zi

Dafinë

Përgatitja

Si fillim vendosni një tigan në zjarr dhe aty hidhni vajin e ullirit.

Grini qepën dhe karotën në kubikë sa më të vegjël, ndërkohë hudhrën shtypeni.

Kur të jetë ngrohur vaji hidhni qepën dhe kur të jetë bërë gati transparente shtoni mishin e grirë dhe hudhrën dhe skuqini lehtë.

Më pas jepini shije me kripë, piper të zi dhe disa gjethe dafinë dhe shtoni dhe salcën e domates.

Mos e avulloni plotësisht ujin e domates paso do të duhet për pjekjen e kungulleshkave.

Prisni kungulleshkat në shirita dhe nisni me përgatitjen e lazanjës.

Në një tavë hidhni pak vaj dhe shtroni kungulleshkat e prera, më pas një shtresë me salcën e kështu me radhë.

Në fund spërkateni me djathin kaçkavall të grirë dhe piqeni në furrë të ngrohur me 200 gradë.

Kënaqni veten me këtë kek me kungulleshka

Përbërësit

2-3 kungulleshka

3 gota me miell

2 lugë çaji me fryrës ëmbëlsirash

2 lugë çaji me lëkurë limoni

2 vezë

1 gotë e gjysmë me sheqer

4-5 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja

Nisni me grirjen e kungulleshkave dhe më pas shtrydhini lehtë me një napë për t’i hequr lagështirën.

Më pas në një tas përzieni vezët me sheqerin derisa të formoni një krem të plotë.

Shtoni aty vajin e ullirit dhe më pas miellin e fryrësin e ëmbëlsirave.

Hidhni dhe kungulleshkat e grira si dhe lëkurën e limonit dhe përziejini mirë.

Brumin kalojeni në një tavë keku të lyer me vaj dhe pak miell.

Piqeni në furrë të ngrohur me 180-200 gradë./AgroWeb.org