Veza e rrahur është ushqimi ikonë i fillimit të mëngjeseve thuajse në të gjithë globin.

Gjendet e kombinuar dhe e gatuar në shumë mënyra në varësi të shijeve të gjithësecilit.

Përveçse shumë e shijshme, veza është perfekte për të nisur ditën me energjitë dhe vlerat e duhura.

Për të gjithë adhuruesit e saj AgroWeb.org sjell një mënyrë të re dhe shumë të shijshme përgatitje.

Veza e rrahur me kos dhe djathë të bardhë është një mrekulli që duhet patjetër t’a provoni.

Shija e butë që i dhuron kosi dhe djathi këtij gatimi e bën atë ideal edhe për fëmijët.

Më poshtë do të gjeni mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj recete.

Përbërësit

4 vezë

1 lugë çaji vaj ulliri

2 lugë gjelle kos

2 feta djathë i bardhë

kripë

piper i zi

disa fije koper sipas dëshirës

Përgatitja

Për të nisur këtë recetë AgroWeb.org ju këshillon të zgjidhni tiganin ku do të skuqni vezët.

Vendoseni atë në zjarr mesatar duke e spërkatur me pak vaj ulliri.

Ndërkohë në një enë të thellë hidhni vezët, kosin, pak kripë, piperin e zi të bluar dhe një lugë gjelle koper të bluar sipas dëshirës.

Filloni t’i rrihni bashkë të gjithë këta përbërës me anë të një teli kuzhine, piruni apo rrahësi elektrik derisa të jenë përzier mirë me njëri tjetrin.

Më pas hidheni vezën e rrahur në tigan dhe përziejini rregullisht për 4-5 minutate para, derisa të fillojë të skuqet dhe fryhet.

Shtoni edhe copat e djathit të therrmuar dhe vazhdoni me përzierjen.

Bëjeni këtë derisa të shikoni që të gjithë përbërësit janë skuqur dhe lidhur me njëri tjetrin.

Hiqeni vezën nga zjarri dhe mund t’a shërbeni menjëherë duke i hedhur sipër edhe disa fije të tjera koperi./AgroWeb.org