Kur përmendim Yshmerin, menjëherë na vjen në mendje receta fantastike e Myzeqesë që përgatitet me petë të pjekura dhe qumësht e sheqer.

Sigurisht që mënyra klasike e përgatitjes së tij është me sheqer, por qyteti i Vlorës e ka përshtatur këtë recetë tradicionale sipas shijes së tyre.

Me një ndryshim të vogël Yshmeri merr një shije fantastike dhe kënaq çdo pjesëtar të familjes suaj.

Provojeni sipas hapave që AgroWeb.org ka sjellë për ju dhe shijojeni të ngrohtë.

 Përbërësit

Përbërësit për petët

1 kg miell

1 filxhan kafeje vaj ulliri

pak kripë

600 ml ujë i vakët

pak niseshte

Përbërësit për mbushjen

2 l qumësht

200 gr gjalpë

6 kokrra vezë

kripë

Përgatitja e petëve

AgroWeb.org ju këshillon që nëse do të përdorni petë të përgatitura vet t’i keni gati një ditë më parë.

Nëse do ta përgatisni me petë të gatshme të pjekura atëherë do të shkurtoni kohë akoma edhe më shumë.

Hedhim miellin në tavolinë dhe e përziejmë me vaj, pak kripë e shtojmë ujin e vakët.

Nëse e shohim që brumi ka nevojë akoma për ujë mund t’i shtojmë akoma ose anasjelltas, derisa të shohim që masa të jetë e njëtrajtshme.

Brumi duhet të jetë elastik. Vendosim brumin në një enë qelqi ku e mbulojmë me një pecetë të pastër.

E lemë të pushojë përreth 20 minuta.

Më pas e ndajmë brumin në toptha të vegjël, rreth 15. Hapim një e nga një petët duke u ndihmuar nga pak niseshte që të mos ngjiten.

I thajmë petët një e nga një në fundin e një tepsisë në furrë të nxehtë 250°C.

Pastaj i heqim dhe i lemë të ftohen.

Përgatitja në tavë

Në një enë qelqi të madhe hedhim vezët dhe i rrahim mirë. Më pas shtojmë gjalpin e shkrirë e të ftohtë.

E trazojmë mirë. Më pas shtojmë edhe qumështin e ftohtë dhe kripën.

Më pas në enë shtojmë edhe petët e copëtuara. Duke treguar kujdes që petët të mos i thërrmoni plotësisht, përziejeni masën.

Pastaj në një tepsi të lyer me gjalpë hedhim masën e përgatitur. Vendosim tepsinë me yshmer të piqet në furrë të nxehtë 220°C përreth 40 minuta.

Duhet ta shohim që sipër duhet të jetë e kuqe. Më pas fikim furrën dhe lemë akoma yshmerin në furrë të kullojë.

Pastaj e nxjerrim tepsinë nga furra, e lemë të ftohet dhe e presim yshmerin në copa dhe e shërbejmë./AgroWeb.org