Zupa shtëpie, një ëmbëlsirë krejt e lehtë, e kombinuar në mënyrë fantastike me arra për të kënaqur shijen në çdo kohë të ditës.

E shoqëruar me kafe, çaj apo duke e shijuar edhe vetëm, kjo ëmbëlsirë është ndër më tradicionalet, e përgatitur shpesh nga amvisat në shtëpi dhe një nga më të preferuarat në pastiçeritë shqiptare.

Fantastike në servirjen e saj si gosti në mikpritjen e miqve ashtu si edhe në servirjen e saj në fund të drekave e darkave familjare.

Një shije krejt tjetër, kremoze falë qumështit si përbërës kryesor të saj dhe e pasuruar me disa nga përbërësit më të shijshëm të kuzhinës, arrat e thërrmuara.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së zupave.

Kjo është një ëmbëlsirë që përgatitjen krejt lehtë dhe shpejt për të ëmbëlsuar familjen dhe më të dashurit gjithashtu.

Përgatitja e Zupave në Shtëpi

Përbërësit 

1.5 litra qumësht

2 kokrra vezë

9-10 lugë sheqer

7 lugë niseshte

1 lugë kafeje vanilje

2 filxhanë çaji me arra të thërrmuara

Kanellë

Përgatitja

Si fillim, në fundin e tasave të zupave hedhim një shtresë me pak arra të thërrmuara.

Hedhim qumështin në tenxhere dhe e vendosim në zjarr të ngadaltë, shtojmë dy vezët e rrahura me sheqerin dhe niseshten.

Gjithë masën e përzjejmë pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të bëhet kremoze.

Kur masa bëhet kremoze shtojmë vaniljen dhe vijojmë të përzjejmë për pak sekonda.

E heqim tenxheren nga zjarri dhe nisim mbushjen e kupave.

I mbushim të gjitha me krem deri në gjysmë e më pas hedhim një shtresë me arra të thërmuara.

Më pas hedhim pjesën tjetër të kremit duke mbushur gjysmën e kupave. Në fund shtojmë sërish një shtresë arra por edhe pak biskota të thërrmuara nëse preferoni si dhe kanellë.

Zupat, pasi janë ftohur futen në frigorifer dhe konsumohen të ftohta. Ato mund t’i kombinoni me fruta të ndryshme si dhe gjithashtu me përbërës të tjerë siç është reçeli i qershisë apo edhe lajthi e bajame./AgroWeb.org