Ashtu si shumica e njerëzve, ju ndoshta vizitoni dentistin tuaj me një qëllim: të mbani dhëmbët të shëndetshëm. Por një vizitë në klinikë mund të zbulojë shumë më tepër sesa kavitetet.

Një kontroll oral rutinë mund të arrijë të zbulojë të dhëna për shëndetin tuaj të përgjithshëm që nuk kanë të bëjnë me dhëmbët tuaj.

A të përmbajë goja juaj të dhëna për gjendjen e shëndetit tuaj të përgjithshëm, dhe cilat sëmundje mund të identifikojë dentisti juaj? AgroWeb.org ju fton ta zbuloni këtë më poshtë.

Cilat janë sëmundjet që mund të dallojë dentisti

Edhe pse një dentist nuk mund të diagnostikojë zyrtarisht ndonjë nga çrregullimet e mëposhtme, ata shpesh janë të parët që dallojnë shenjat e hershme të problemeve të tilla shëndetësore dhe mund t’ju drejtojnë tek një mjek për një vlerësim të mëtejshëm.

Sëmundjet e zemrës

Sëmundja periodontale është një infeksion dhe inflamacion i mishrave të dhëmbëve dhe kockave që rrethojnë dhëmbët. Kur është e pranishme, mund të tregojë për rrezikun që ju kanoset nga sëmundjet e zemrës.

Në fakt, disa lloje të problemeve kardiovaskulare, sëmundjet e zemrës, bllokimi i arterieve dhe goditjet në tru mund të lidhen me inflamacionin e nisur pikërisht nga bakteret orale.

Diabeti

Ndonjëherë dentistët mund të jenë të parët që zbulojnë shenjat e diabetit tek njerëzit që nuk janë të diagnostikuar me këtë sëmundje.

Gjatë kontrolleve dentare, stomatologët mund të vërejnë simptoma si aromë e keqe dhe kronike nga tharja e gojës, ndonjë një infeksion mykotik dhe sëmundje të mishrave të dhëmbëve.

Të gjitha këto janë më të zakonshme tek individët me diabet. Kjo për shkak se diabeti ul rezistencën e trupit tuaj ndaj infeksionit, gjë që rezulton në një rrezik në rritje të problemeve të mishrave të dhëmbëve.

Njohja e kësaj sëmundjeje, e cila nëse nuk kontrollohet mund të jetë kërcënuese për jetën, është e rëndësishme pasi një pjesë e mirë e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se kanë diabet.

Njerëzit që e menaxhojnë siç duhet diabetin priren të kenë rezultate më të shëndetshme orale, ndërsa ata që kujdesen për dhëmbët priren të kenë kontroll më të mirë të sheqerit në gjak.

Refluksi i acidit

Ndonëse simptoma treguese e sëmundjes së refluksit gastroezofageal është shpesh urthi i zakonshëm, ndonjëherë dentisti mund të deshifrojë të dhëna edhe nga gjendja e gojës tuaj.

Kur acidi rrjedh nga stomaku në ezofag, ai mund të shkaktojë dëmtim në smaltin e dhëmbëve.

Përveç kësaj, dentisti mund të vërejë edhe lezione në fyt, ku acidi ka përkeqësuar gjendjen e fytit.

Bulimia

Çrregullimet e të ngrënit janë çrregullime të shëndetit mendor që mund të kenë efekte serioze në trupin tuaj, e madje edhe tek dhëmbët tuaj.

Disa nga ndryshimet që dentisti juaj mund të vërejë gjatë një ekzaminimi janë: zverdhje e dhëmbëve, dëmtim i smaltit, apo gërryerje.

Kjo zakonisht lidhet me të vjellat e shpeshta që ndodhin nga bulimia, ku acidi i stomakut kalon nëpër dhëmbë, duke shaktuar dëmtime.

Giithashtu mund të vihet re nëse ka pasur gjakderdhje, pasi mishrat dhe indet e tjera të buta mund të skuqen, fryhen dhe rrjedhin gjak lehtësisht për shkak të mungesës së lëndëve ushqyese të kalciumit, hekurit dhe vitaminave B.

Njerëzit që jetojnë me çrregullime të të ngrënit mund të kenë gojë të thatë në mënyrë kronike (e cila shpesh shoqërohet me erë të keqe) pasi gjëndrat e tyre të pështymës mund të fryhen dhe të mos funksionojnë siç duhet.

Të vjellat e shpeshta mund të shkaktojnë skuqje, gërvishtje dhe prerje brenda gojës, veçanërisht në pjesën e qiellzës.

Kanceri i gojës

Dentistët mund të jenë linja juaj e parë e mbrojtjes kur bëhet fjalë për zbulimin e kancerit oral.

Në fazat e hershme, kanceri oral mund të jetë pa dhimbje dhe i pranishëm me pak simptoma të dukshme.

Kjo është arsyeja pse ai shpesh kalon pa u vënë re dhe kjo është ajo çka e bën kaq të rrezikshëm.

Shenjat e hershme paralajmëruese të kancerit oral që dentisti mund të zbulojë përfshijnë:

Njolla të bardha ose të kuqe të indeve në gojë

Puçra të vogla

Një gungë ose masë pa dhimbje brenda gojës ose qafës

Dhimbje ose vështirësi në gëlltitje, të folur ose përtypje

Masa të ngjashme me lythat në gojë

Mpirje në pjesën gojës apo fytyrës

Dhimbje veshi e vazhdueshme e njëanshme

Sa shpesh duhet të vizitoheni tek dentisti?

Rregulli i përgjithshëm është të vizitoni dentistin tuaj një ose dy herë në vit për një kontroll rutinë dhe pastrim.

Dentisti mund të rekomandojë vizita më të shpeshta nëse jeni në rrezik më të lartë për disa shqetësime shëndetësore. /AgroWeb.org