Amareta me Brumë Bajamesh – Ëmbëlsi Unike

4.1k 0

Me një ëmbëlsi unike, krokante e të lehta njëkohësisht, biskotat me brumë bajamesh janë të mrekullueshme për t’u konsumuar në çdo kohë të ditës.

Përgatiten mjaft thjeshtë dhe shpejt por rezultati final i tyre është një ëmbëlsi unike, delikate.

Fantastike për t’i servirur në familje, për më të dashurit por edhe si gosti ndaj miqve e të afërmve.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë përgatitjen e biskotave me brumë bajamesh krejt lehtë në shtëpi, ndërkohë të njëjtën recetë mund ta përgatisni edhe me brumë arrash në vend të brumit të bajameve.

Përgatitja e Amaretave me Brumë Bajamesh

Përbërësit

  • 135 gr miell bajamesh (e gjeni në supermarket)
  • 3 të bardha vezësh
  • Një filxhan çaji sheqer
  • 1 lugë çaji me niseshte
  • 1 lugë çaji me lëng limoni
  • 25 thelpinj bajamesh

Përgatitja

Bashkoni në një tenxhere ¾ e sasisë së miellit të bajameve, 3 të bardhat e vezëve, sheqerin.

Përziejini me kujdes dhe vendosini në zjarr shumë të ngadaltë.

Lërini për 10-12 minuta duke i përzierë vazhdimisht.

Mos e lini masën që gjatë kohës që është në zjarr të nis të vlojë.

Në këtë moment parangrohni furrën e sobës në 175 gradë.

Ndërkohë, në tenxhere shtoni edhe masën tjetër të miellit të bajameve dhe lëreni në zjarr të ngadaltë edhe për 5 minuta të tjera dhe largojeni nga zjarri.

Vendoseni fundin e tenxheres në një enë me ujë të ftohtë, në mënyrë që procesi i gatimit të brumit të amaretave të ndalojë.

AgroWeb.org ju këshillon të bëni kujdes që të mos futet ujë në tenxhere.

Ndërkohë, bashkoni në një tas të vogël niseshtenë me lëngun e limonit. Kjo masë duhet të jetë e trashë dhe ngjitëse. Bashkojeni tek brumi i amaretave dhe përziejeni mirë.

Më pas, duke përdorur dy lugë, merrni nga brumi i amaretave dhe vendosini një e nga një në një tavë ku keni shtruar letër pjekjeje.

Amaretat vendosni rreth 2 cm larg njera tjetrës sepse vëllimi i tyre gjatë pjekjes do rritet.

Vendosni mbi çdo amaretë nga një thelpi bajameje dhe futini në furrë për pjekje.

Bëni kujdes, sapo të fusni amaretat për pjekje uleni gradacionin e sobës në 120 gradë dhe lërini amaretat të piqen përreth 45 minuta derisa sipërfaqja e tyre të bëhet krokante.

Pasi të fikni sobën, amaretat lërini që të ftohen në mënyrë që të mos copëtohen gjatë vendosjes në pjatancë.

Shoqërojini me kafe apo çaj./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.