Bima Mjekësore e LuleLepurit – Vlerat Tradicionale të Shëndetit

70 0

Nëse vuani nga të ftohtit dhe keni vështirësi në frymëmarrje, kurën më të mirë natyrale do ta gjeni tek lulelepuri.

Kjo bimë tradicionale mjekësore mund të pihet si çaj dhe në forma të tjera. Lulelepuri është pjesë e familjes botanike Boraginaceae.

Kjo bimë me emrin botanik Pulmonaria officinalis, është përdorur tradicionalisht për të trajtuar disa probleme me frymëmarrjen siç janë kolla, të ftohtit, bronshiti dhe azma.

Ajo gjendet në formë të egër në mbarë Evropën përfshirë Shqipërinë dhe vendet e Mesdheut.

Gjethet e bimës mund të përdoren për çaj. Ato kanë një shije të hidhur ndaj duhen kombinuar me mjaltë.

Megjithatë, përpos hidhësisë, gjethet e lulelepurit mund të gatuhen ose të konsumohen të freskëta në sallata.

Gjethet e thata të bimës gjenden në farmacitë bimore ose në pikat e grumbullimit të bimëve medicinale.

Lulelepuri përmban disa substanca të rëndësishme për shëndetin e njeriut siç janë saponina, antioksidantët, flavonoidët, kuercetina, alantoina dhe acidi tanik.

Është e provuar shkencërisht që lulelepuri luan rolin e antibiotikut, shëron plagët dhe ndihmon kundër një sërë problemesh shëndetësore.

Vlerat shëndetësore të lulelepurit:

1. Bën mirë për rrugët e frymëmarrjes

Lulelepuri përdoret gjërësisht për të trajtuar probleme me frymëmarrjen siç janë azma, kolla dhe bronshiti.

Ajo është përdorur edhe kundër infeksioneve në kraharor pikërisht për vetitë antibiotike që ka.

Lulelepuri pastron rrugët e frymëmarrjes. Duhanpirësit ose ata që së fundmi kanë lënë duhanin duhet ta shfrytëzojnë këtë bimë mjekësore dhe të pijnë çajin e bërë prej saj për të pastruar mushkëritë nga duhani.

2. Përmban antioksidantë

Çaji i lulelepurit përmban sasi të larta të përbërësve fenolikë dhe antioksidantë. Madje shkencëtarët janë të mendimit që janë pikërisht antioksidantët që e bëjnë lulelepurin efikas kundër problemeve me frymëmarrjen.

3. Përmirëson tretjen

Nëse pini një filxhan me çaj lulelepuri do të zgjidhni një sërë problemesh me sistemin tretës, siç është tretja e çrregullt dhe diarea.

4. I bën mirë lëkurës

Duke qenë se është e pasur me antioksidantë natyralë, kjo bimë luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e vitalitetit të lëkurës dhe ju bën të dukeni më të rinj.

Lulelepuri aplikohet në lëkurë për të trajtuar edhe të çarat dhe gërvishtjet. Ajo përmban një substancë që quhet alantoinë që shëron dëmet në inde dhe përshpejton shërimin.

Si të përgatisni çaj me lulelepuri:

Zieni 150 mililitra ujë dhe shtoni një lugë çaji me gjethe të thata lulelepuri. Ziejini së bashku për 15 minuta ose më gjatë që të përfitoni maksimalisht prej saj. Kullojeni lëngun dhe shtoni mjaltë deri sa të toleroni shijen e çajit.

Pijeni tre herë në ditë për të zgjidhur problemet që mund të keni me frymëmarrjen. Lulelepuri është një lule e butë dhe jo agresive. Ajo nuk shkakton efekte anësore apo alergji. Ndaj tretësirat me lulelepuri janë të përshtatshme edhe për fëmijët.

Me çajin ose tretësirën mund të parandaloni dhe trajtoni simptomat e të ftohtit dhe virozat tek të rriturit dhe fëmijët./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje