Koçkulla konsiderohet bima me nivelin më të lartë të përmbajtjes së proteinave.

Kush ka shkruar në fshat, tek gjyshja, për pushime apo është rritur aty dhe nuk është mrekulluar nga shija e fantastike e byrekut me koçkulla.

Krokant në sipërfaqe me mbushjen e butë të koçkullave të gatuara nga duart e arta të gjysheve apo nënave atje, byreku me koçkulla është receta e dashur që pasuron kuzhinën shqiptare.

I  pjekur në prushin e zjarrtë e të ngadaltë nën saçin emblematik të gatimeve shqiptare, byreku me koçkulla ashtu siç çdo gatim tjetër tradicional shqiptar i lë pak vend fantazisë duke tërhequr kënaqësinë e dimensionit të shijes.

Ndonëse të harruara kohët e fundit, interesi për kultivimin e koçkullave është rritur, por ende ka shumë pak informacion mbi vlerat u shqyese të kësaj bishtajoreje.

Në Shqipëri, përgjithësisht Koçkulla është kultivuar në zonat jugore si Korça, Berati apo Gjirokastra dhe është përdorur nga amvisat për supa të shijshme apo byrekë.

Koçkullat çmohen më së shumti për shijen e tyre të butë por edhe njihen si bishtajat “trime”.

Ato janë në gjendje të rriten në të gjitha tipet e tokës, edhe në kushtet më të vështira. Janë rezistente ndaj thatësirës dhe sëmundjeve të bimëve. Nuk kërkojnë asnjë kujdes të veçantë.

Vlerat e Koçkullave vijnë pikërisht nga përbërësit e saj ushqyes.

Koçkullat janë shumë të pasura me proteina dhe niseshte. Proteinat kanë vlera të larta organike dhe pothuajse nuk kanë aspak sheqerna, ndaj dhe niveli i glicemisë është ekstremisht i ulët.

Ajo përmban sasi të larta kalçiumi dhe fosfori, ashtu si edhe vitamina B dhe Polifenol, çka mundëson një aktivitet perfekt antioksidues. Rezultatet kanë treguar se Koçkulla është e pasur me acide yndyrore gjithashtu.

Koçkulla ka një numër të lartë avantazhesh në lidhje me vetitë e saj ushqyese, siç është jo vetëm niveli i lartë i proteinës, por edhe potenciali prodhues, toleranca ndaj lagështisë, kripës apo mbijetesës në thatësirë.

Përbërësit e byrekut me koçkulla për 4-5 vetë:

400 gramë koçkulla
700 gramë miell
2 vezë
5-6 kokrra qepë
Djathë
Rigon
Kripë, ujë, vaj ulliri apo gjalpë të tretur

Përgatitja:

Vini koçkullat të ziejnë me pak kripë dhe ujë. Përgatisni brumin me miell, pak kripë e ujë, dhe e ndani në kuleçë. Hapni një petë, e vini në tepsi dhe futeni në furrë të piqet. Këtë gjë duhet ta bëni me 10 petë.

Në një tigan skuqni qepët, hidhini pak rigon e një lugë gjelle miell.

Mund të shtojmë një majë luge salcë domatesh dhe pastaj hidhini te koçkullat e ziera, ku shtoni edhe djathin.

Lyeni tepsinë me vaj ulliri ose gjalpë dhe hidhni aty një petë të bërë me 4 kuleçë, të lyer ndërmjet tyre me yndyrë.

Shtroni petët e pjekura një nga një duke shtuar përbërjen me koçkulla pas çdo pete. E mbuloni sipër me dy petë të njoma.

Në një enë të vogël rrihni një vezë, pak vaj dhe lyeni petën e sipërme, që të jetë e butë.

Piqeni në furrën e ngrohur më parë në 200 gradë celcius, për 25-30 minuta./AgroWeb.org