Çfarë Është Meningjiti – Si të Mbroheni nga Rreziku

308 0

Situata e gripit në vendin tonë është zgjeruar në disa mijëra të prekur duke shënuar edhe pacientë me simptoma të rënda.

Sipas ISHP rreth 11 mijë persona i janë drejtuar spitaleve këto ditë me probleme të rrugëve të frymëmarrjes apo temperaturë të lartë.

Frika për përhapjen e një epidemie apo sëmundjes së meningjitit pas shënimit të viktimës së parë, ishte prezente për disa ditë.

Kryesisht në kryeqytet dhe në qytete të mëdha ku numri i të prekurve ishte dhe më i madh.

Pas konfirmimit se sëmundja e meningjitit nuk është një rrezik për vendin dhe situata e gripit është nën kontroll dhe normale për kohën, mjekët rekomanduan që gjithësesi të mos neglizhohen simptomat.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org ju tregojmë se çfarë mund të shkaktojë bakteri i meningjitit në organizëm, si ta kuptoni që jeni infektuar dhe si të veproni me shpejtësi.

Çfarë është meningjiti?

Meningjiti është një lloj sëmundje që vepron me anë të baktereve dhe prek membranat që rrethojnë trurin dhe shtyllën kurrizore.

Duke sulmuar këto membrana që janë përgjegjëse për mbrojtjen e sistemit nervor qëndror, organizmi bëhet më vurnerabël dhe i dobët.

Kështu pasojat e sëmundjes fare lehtë mund të jenë fatale.

Lloji më i rrezikshëm është meningjiti bakterial i cili mund të çojë në probleme serioze të organizmit apo humbjen e jetës.

Çdo vit në botë më shumë se 1.2 milion persona vuajnë nga kjo sëmundje.

Në vitin 2006 bakteri i meningjitit ishte vdekjeprurës në masën 34%, ndërsa tek pjesa tjetër e njerëzve të prekur sëmundja la pasoja të përherëshme.

Konsiderohet si një sëmundje serioze e cila zakonisht shfaqet në stinën e dimrit, në mot shumë të ftohtë.

Bakteri që shkakton këtë sëmundje mund të kalohet nga një person në tjetrin me anë të teshtimave, kollitjes apo sekrecioneve të ndryshme.

Disa tipe të veçanta të sëmundjes mund të transmetohen edhe nëpërmjet ushqimit.

Më të rrezikuarit

Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me bakterin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit të cilës i referohet AgroWeb.org, meningjiti prek më së shumti personat mosha 1 deri në 30 vjeç.

Kjo ndodh sepse sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht bebet, femijet dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar këtë bakter.

Mund të shfaqet në mënyrë të papritur në çdo cep të globit edhe pse në zonat ku epidemitë janë të shpeshta, siç është Afrika rreziku është shumë i madh.

Simptomat e meningjitit

Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen në një kohë shumë të shkurtër.

Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.

Tek simptomat e sëmundjes përfshihen:

Të vjellat

Marramendja

Temperatura e lartë

Dhimbja e muskujve

Ndjeshmëria ndaj dritës

Dhimbja e kokës

Konfuzioni

Gjymtyrë të ftohta

Skuqje e lëkurës

Ndërsa tek fëmijët mund të shikoni edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtë, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqëndrimit dhe mungesë oreksi.

Çfarë të bëni

Meningjiti është një sëmundje e rrezikshme, por e kurueshme dhe gjithnjë prezente mes njerëzve.

Mjafton të merrni masat e duhura kundra saj.

Sapo të ndjeni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku apo të drejtoheni në urgjencën më të afërt.

Kjo sëmundje serioze trajtohet me anë të antibiotikëve dhe medikamente të tjera vetëm në spital.

Për ta parandaluar sëmundjen këshillohet bërja e vakinës kundër meningjitit e cila aplikohet si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit.

Gjithësesi thelbësore është të konsultoheni në kohë me mjekun për simptomat pa kaluar 24 orët e para kritike të sëmundjes./AgroWeb.org