Çfarë Po Përpiqet T’ju Tregojë Trupi Kur Zgjoheni Me Qepalla Të Ënjtura?

2.9k 0

Si pasojë e alergjive ose infeksioneve, qelizat në sy lëshojnë një përgjigje imune mbrojtëse që shkakton fryrjen e indeve të syrit.

Njohja e shkaqeve që fshihen pas inflamacionit të syrit tuaj, mund t’ju ndihmojë të merrni nën kontroll gjendjen dhe të parandaloni që ajo kthehet në një problem.

AgroWeb.org ju njeh me shkaqet më të zakonshme të ënjtjes së syve dhe rastet kur duhet të kërkoni kujdes mjekësor.

Është një reaksion alergjik

Në të shumtën e resteve ënjtja e qepallave ndodh si rezultat i një reaksioni të butë alergjik.

Ekspozimi ndaj substancave si poleni apo pluhuri, mund të shkaktojë inflamacion në sy, i cili mund të shkaktojë ënjtje, skuqje, kruajtje, djegie ose lotim të syve.

Kur të vëreni shenja të tilla alergjie, aplikoni kompresa të ftohta dhe përdorni lot artificial për t’i mbajtur sytë të hidratuar.

Nëse jeni të vetëdishëm për shkaktarin e alergjisë tuaj, atëherë mundohuni ta shmangni atë.

Infeksioni

Sipas ekspertëve, një infeksion i lehtë i syve mund të shkaktojë inflamacion, i cili mund të shkaktojë skuqje, kruajtje, lotim por edhe ënjtje të lehtë. Shumica e këtyre rasteve janë infeksione virale.

Ju mund të aplikoni kompresa të ngrohta dhe të përdorni lot artificial, për të lehtësuar shqetësimin tuaj.

Por nëse vazhdon kjo më gjatë se disa ditë, këshillohet të kryeni një vizitë mjekësore.

Mund të jetë një pickim insekti

Mushkonjat nuk bëjnë dallime midis krahëve, këmbëve apo qepallave, kështu që edhe kjo alternativë është krejt e mundur.

Nëse ënjtja ka formën e një gunge të vogël, në të kuqe ose rozë dhe ju kruhet, por nuk ju dhëmb, ka të ngjarë të jetë pickim insekti.

Lehtësoni kruajtjen dhe largoni ënjtjen duke aplikuar kompresa të ftohta, ose një krem apostafat për pickimin e insekteve.

Ju keni një puçër

Këto puçra të dhimbshme, të kuqe, të mbushura me qelb, formohen në pjesën e jashtme të qepallës, kur gjëndrat në qepalla që prodhojnë vaj bllokohen dhe infektohen.

Provoni të vendosni një kompresë të ngrohtë për 10 deri në 15 minuta, tre deri në pesë herë në ditë, për të larguar ënjtjen.

Nëse nuk ikën brenda pak ditësh, mund t’ju duhet të kryeni një vizitë ose të merrni antibiotikë.

Mund të jetë herpes

Nuk është e pazakontë që infeksione të tilla, të përhapen në nervat brenda kokës dhe të prekin pjesë të syrit.

Herpesi mund të shkaktojë kështu ënjtje, dhimbje, skuqje, ndjeshmëri ndaj dritës dhe shikim të turbullt.

Kërkoni menjëherë kujdes mjekësor nëse mendoni se mund të keni herpes.

Keni një infeksion të rëndë

Edhe pse e rrallë, është e mundur që një dëmtim i syrit ose pickimi nga insektet, të shkaktojë një infeksion serioz që i bën qepallat të ënjten së tepërmi.

Në këtë rast ajo çfarë duhet të bëni është të kontaktoni mjekun tuaj./AgroWeb.org