Procesi i larjes dhe pastrimit të frutave dhe perimeve që konsumojnë është po aq i rëndësishëm sa vlerat ushqimore dhe shëndetësore të tyre, sidomos në kohët e sotme kur pesticidet dhe kimikatet e përdorura janë shqetësuese.

Disa mund të jenë të mendimit që një frut apo perime e palarë nuk të shkakton ndonjë dëm të madh.

E vërteta është që dheu ku janë rritur frutat dhe perimet kanë baktere pafund që mund të shkaktojnë probleme të mëdha që nuk zgjidhen me një të qëruar të lëkurës.

Frutat dhe perimet që nuk duhen qëruar

Ndonjëherë njerëzit mjaftohen me heqjen e lëkurës së frutave dhe perimeve duke anashkaluar faktin që shumë prej vlerave, vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve gjenden pikërisht tek lëkura.

Por kjo nuk vlen për të gjitha frutat dhe perimet.

Nëse heq lëkurën e domates nuk rrezikon të humbasësh vlerat e saj.

Nëse qëron mollën nuk do të marrësh dozën e duhur të pektinës një fibër e tretshme që rregullon dhe ul kolesterolin e keq dhe sheqerin në gjak.

Pektina gjithashtu ndihmon procesin e tretjes dhe të mban të ngopur për më gjatë.

Karrotat

Pjesa e poshtme e lëkurës së karrotës është e pasur me disa elementë anti bakterialë dhe anti inflamatorë që sipas shkencëtarëve janë të rëndësishëm në betejën kundër kancerit. Ndaj nëse nuk ke zgjedhje tjetër, sugjerohet që karrota të konsumohet me gjithë lëkurë, ose të qërosh vetëm një cipe të hollë të saj.

Patatet

Lëkura e patates ka më shumë fibër, hekur dhe folat se sa pjesa e brendshme. Nëse zgjedh patatet, lëkura e të cilave ka pigment ngjyrë vjollcë, atëherë ato janë më të dobishme. Një studim ka treguar që lëkura e këtyre patateve janë 5 deri në 10 herë më shumë antioksidantë se pjesa e brendshme.

Kastraveci

Nëse heq lëkurën e kastravecit do të marrësh më pak kalcium, magnez, fosfor, potas, vitaminë A dhe K se sa në rast se konsumon kastravec me gjithë lëkurë. Pjesa e brendshme e kastravecit është shumica ujë, ndërsa në lëkurë gjendet shumica e fibrave.

Patëllxhani

Lëkura e patëllxhanit është e mbushur me antioksidantë, sidomos me një element të njohur si nasunin. Një eksperiment mbi kafshët ka treguar që ky antioksidant është i rëndësishëm për ruajtjen e qelizave të trurit të shëndetshme. Nasunin është pjesë e një familje të madhe antioksidantësh të njohur si flavonoidë. Sa më shumë flavonoidë të konsumosh aq më të ulëta janë gjasat që të shtosh peshë.

Rrushi

Ka shumë njerëz, sidomos fëmijë që kur konsumojnë rrush preferojnë të thithin pjesën e tulit dhe të hedhin lëkurën. Por ajo që nuk e dinit është se në lëkurën e rrushit, sidomos atij të rrushit të zi gjendet një substancë të njohur si resveratrol që i sjell shumë përfitime trurit dhe zemrës.
Sidomos kur tentojmë t’i konsumojmë me gjithë lëkurë, procesi i larjes bëhet edhe më tepër i rëndësishëm. Do të ishte e thjeshtë të tregonim që këto produkte duhen blerë organike, por jo gjithmonë kjo është e mundur. Prandaj kushtojini vëmendje larjes së duhur.

Si duhen larë frutat dhe perimet?

Larja e frutave dhe perimeve heq bakteret, përfshirë E.coli që gjenden në lëkurë dhe në sipërfaqe. Hapi i parë është larja e duarve me ujë të ngrohtë për 20 sekonda dhe më pas futja e produkteve në një enë të madhe të mbushur me ujë. Për këtë proces kërkohet ujë i bollshëm. Ato duhet të fërkohen dhe pastrohen mirë përpara konsumimit. Nëse ato i lan shumë kohë përpara përdorimit, atëherë do të përshpejtosh procesin e prishjes së tyre. Produktet e lara dhe ato të palara duhet të ndahen veçmas. Këshillohet përdorimi i enëve dhe mjeteve të kuzhinës i veçantë për frutat dhe perimet e lara nga ato të palara. Gjithashtu, këshillohet që edhe sallatat e paketuara që gjenden në market të lahen dhe shpërlahen me ujë të bollshëm. Proçesi i pastrimit përfundon me larjen e duarve për 20 sekonda të tjerë.

Larja e perimeve

Perimet si kale, lakra, spinaqi e të tjerë duhen larë një e nga një me ujë të bollshëm të ftohtë. Për produkte si lakra ose sallata jeshile, procesi i pastrimit nis me heqjen e gjetheve të jashtme dhe hedhjen e gjetheve të prishura. Pas larjes, gjethet duhen tharë me një cohë pambuku. Gjethet që nuk do të përdoren duhen ruajtur në një qese plastike të mbyllur mirë dhe përdorur brenda të paktën një jave.

Larja e frutave

Frutat me lëkurë të trashë si portokallet, mango, ananasi, pjepri, apo perimet si karrotat, patatet dhe kungulli duhen larë mirë që të parandalojnë kalimin e baktereve nga lëkura tek tuli ose pjesa e brendshme. Në procesin e larjes duhet përdorur një furçë e butë dhe më pas duhen tharë me një copë pambuku.

Larja e kërpudhave

Mënyra më e mirë për të pastruar të gjitha kërpudhat është fshirja e tyre me një cohë të thatë. Nëse preferon ujin, atëherë duhet t’i shpërlash me ujë të freskët. Kërpudhat nuk duhen zhytur në një enë të mbushur me ujë sepse ato do të përthithin ujin dhe do të prishen më shpejt.

Larja e frutave të pyllit

Këto fruta të shijshme duhen ngrënë menjëherë pas larjes me ujë të bollshëm përndryshe prishen.

Si mund të shmanget ndotja?

Arsyeja përse frutat dhe perimet duhen larë në një enë të madhe dhe jo nën rubinet është sepse gjatë këtij procesi rrezikohet spërkatja dhe kontaminimi i produkteve të tjera që mund të gjenden përrreth. Çdo produkt duhet larë, shpërlarë dhe tharë një e nga një. Gjithashtu, është e rëndësishme larja dhe shpërlarja e çdo ene dhe mjeti të kuzhinës para dhe pas përdorimit.

Si futen bakteret tek perimet?

Bakteret kanë mënyra të ndryshme për të depërtuar tek perimet dhe frutat. Kryesisht ato gjenden në ujin që përdoret për ujitje, fertilizuesit ose jashtëqitjet e zogjve dhe kafshëve në fushë. Njerëzit që kanë një stomak të ndjeshëm ndaj infeksioneve, në veçanti gratë shtatzëna, të moshuarit, ose ata me një sistem imunitar të dobët duhet të kenë një higjenë të madhë në konsumimin e këtyre ushqimeve. Edhe fëmijët duhen inkurajuar të lajnë duart pasi kanë prekur perimet dhe frutat e palara.

Siguria mbi të gjitha

Pas përdorimit dhe gatimit të çdo fruti dhe perimeje, duhet të pastroni me ujë të nxehtë çdo sipërfaqe, thikë, lugë, dhe enë që ka rënë në kontakt me to. Pastërtia mbi të gjitha!/AgroWeb.org