Këshillat Më Të Mira Për të Përballuar të Nxehtin e Verës

217 0

Pas një dimri të gjatë e të ftohtë njerëzit fillojnë e kërkojnë me çdo kusht ndonjë rreze të pakët dielli.

Dhe jo pa qëllim, vlerat e jashtëzakonshme të diellit dhe sidomos vitaminës D janë  thelbësore për shëndet të mirë.

Por këto temperatura përtej gëzimit për ardhjen e verës, mund të shkaktojë edhe disa probleme të paparashikuara.

Në këtë artikull AgroWeb.org ju tregon disa nga këshillat më të mira të ekspertëve për të përballuar sa më lehtë të nxehtin.

Si të ruani shëndetin

Një ndër këshillat më të zakonshme të mjekëve në këtë periudhë është kujdesi ndaj temperaturave të larta.

Sipas këshillave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, kontakti i drejtpërdrejtë me diellin mund të sjellë probleme në shëndet.

Ekspertëve të cilëve iu referohet AgroWeb.org, kanë një listë me këshilla të cilat ju ndihmojnë ta kaloni më lehtë këtë periudhë.

Mundohuni të evitoni orët e ditës kur dielli është shumë i nxehtë, që fillojnë nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

Gjatë ditës vishuni me rroba të lehta dhe me ngjyra të hapura.

Përdorni kapele dhe syze të errëta për të evituar dëmtimin e syve.

Qëndroni në ambiente të freskëta dhe mundohuni të mbani perdet dhe dritaret mbyllur.

Temperatura në shtëpi gjatë ditës duhet të jetë nën 32 gradë, ndërsa gjatë natës këshillohet të jetë nën 24 gradë celsius.

Kryefjala kundër nxehtësisë është pa dyshim hidratimi i organizmit gjatë gjithë ditës.

Konsumimi sa më i shpeshtë i një gote ujë do ta ndihmojë trupin tuaj të qëndrojë në temperaturën e duhur dhe të mbajë organet të shëndetshme.

Mjaftojnë të konsumoni jo më shumë se 8 gota uji në ditë në mënyrë që të qëndroni gjithnjë të freskët e të shëndetshëm.

Gjithashtu freskoni kyçet, qafën dhe krahët me ujë të ftohtë apo me dushe të freskëta.

Ndonëse ndjeni se nxehtësia nuk ju sjell shqetësime sipas mjekëve, një grup personash është më i rrezikuar se të tjerët.

Më poshtë gjeni të renditura sipas ISHP pjesën më delikate të popullatës ndaj të nxehtit ekstrem.

Grupet më të rrezikuara

Të moshuarit

Të porsalindurit dhe fëmijët e vegjël

Gratë shtatzëna

Personat që vuajnë nga sëmundje kronike

Sëmundjet kardiovaskulare

Personat që vuajnë nga diabeti

Sëmundjet e frymëmarrjes

Sëmundjet mendore

Sëmundjet e veshkave

Efektet e nxehtësisë në trup

Efektet që nxehtësia ka në trupin e njeriut varen ngushtë nga intensiteti i ekspozimit në diell dhe gjendja shëndetësore.

Personat që vuajnë nga sëmundje kronike janë shumë herë me të ndjeshëm ndaj luhatjeve të temperaturave.

Prandaj dhe kujdesi për ta duhet të jetë i veçantë dhe shumë rigoroz.

Një ndër efektet më të zakonshme të temperaturave të larta është fryrja e gjymtyrëve.

Kjo vjen si pasojë e një proçesi vetërregullues që trupi bën për të balancuar temperaturën e brendshme të tij.

Ndër të tjera renditen vështirësitë në fymëmarrje, dehidratimi i trupit apo ulje e menjëhershme e tensionit.

Të moshuarit sipas ISHP dhe Ministrisë së Shëndetësisë përbëjnë grupin më të madh të të rrezikuarve të cilët kanë edhe sëmundje kronike.

Me kalimin e viteve dhe rritjen e moshës aftësia e trupit për të balancuar temperaturën e brendshme të tij bie.

Kështu edhe reagimi i trupit ndaj fenomeneve të jashtme është më i vonë dhe mund të shkaktojë probleme të tjera në organizëm./AgroWeb.org