Magnezi është i rëndësishëm për shëndetin e kockave.

Qumështi dhe ushqime të tjera të pasura me kalcium janë zgjedhja kryesore për të rriturit dhe sidomos për fëmijët.

Megjithatë, kërkime të fundit kanë treguar se arrorët, farat e kungullit, çokollata e zezë dhe bajamet janë njësoj të rëndësishme për sa i përket përmbajtjes së kalciumit.

Një studim i fundit u prezantua në takimin vjetor të Pediatric Academic Societies, të cilit i referohet edhe AgroWeb.org në këtë artikull. Ky studim zbuloi se ushqimet e pasura me magnez luajnë një rol shumë të rëndësishëm për kockat.

Mirëmbajtja e kockave tek të rriturit, por sidomos rritja e fëmijëve kërkon një larmi ushqyesish. Një prej tyre është padyshim magnezi, thonë ekspertët, element që gjendet me shumicë tek arrorët.

Kalciumi është i rëndësishëm, por në rastet e fëmijëve, adoleshentëve, por edhe të rriturve, që ushqehen me sasi të pakëta të këtij minerali, ai nuk është më i rëndësishëm se magnezi.

Magnezi është i rëndësishëm për shëndetin e kockave tek të rriturit, kjo dihej. Por të pakta kanë qenë studimet që kanë shqyrtuar rolin e magnezit tek përmbajtja minerale e kockave tek fëmijët.

Rezultatet e studimit

Studimi në fjalë u krye te 63 fëmijë të moshave nga 4 në 8 vjeç, të cilët nuk merrnin multivitamina shtesë.

Të gjitha ushqimet dhe pijet e servirura gjatë studimit përmbanin sasi të njëjta të kalciumit dhe magnezit të konsumuara çdo ditë.

Ushqimet dhe pijet mateshin dhe peshoheshin përpara dhe pas çdo vakti. Kjo për të përllogaritur sasinë e kalciumit dhe magnezit që fëmijët kishin konsumuar me të vërtetë.

Rezultatet treguan se sasitë e konsumuara dhe të përthithura të magnezit ishin tregues kryesorë të shëndetit të kockave në trupin e fëmijëve.

Dozat ditore të kalciumit nga ana tjetër nuk kishin domosdoshmërisht lidhje me përmbajtjen e plotë minerale të kockave apo densitetin e tyre.

Studimi arriti në konkluzionin se është shumë e rëndësishme për fëmijët të kenë një ushqyerje të shëndetshme me minerale, duke përfshirë kalcium dhe magnez. Lexoni këtu për ushqimet e pasura me magnez përveç arrorëve./AgroWeb.org