Mëngjesi është një prej vakteve më të rëndësishme të ditës, por në pjesën më të madhe të kohës nis me vrull, me nxitim teksa njerëzit kërkojnë të bëhen gati sa më shpejt për të mbërritur në punë.Mjekja psikiatre Arjana Rreli ka folur në “Wake Up” për disa prej problemeve që bëjnë njerëzit në mëngjes, duke filluar nga alarmi deri tek ushqimi. Rreli u shpreh se mëngjesi anglez rekomandohet më së shumti për të marrë proteinat e duhura që i nevojiten trupit, ndërsa karbohidratet mjaftohen tek qumështi me mjaltë dhe sheqeri në kafenë e mëngjesit.

“Mëngjesi anglez është një nga ato që rekomandohet sepse është me shumë proteina, ndërkohë që karbohidratet ndikojnë tek pjesa hormonale. Janë fond energjie për ne, por është mrekulli të arrish raporte të shkëlqyera. Normalisht duhet që të mos mungojnë proteinat në mëngjes. Ne na mjafton qumështi me mjaltë apo sheqeri që marrim tek kafeja e mëngjesit që na duhet për të vazhduar në normalitetin dhe intensitetin”, tha Rreli.

Sa i përket mirëqenies mendore, Rreli u shpreh se dita nuk duhet të fillojë me stres, por me qetësi pasi e kundërta mund të sjellë ulje të performancës gjatë ditës.

“Gjërat e rëndësishme do t’i bëjmë se s’bën. Fillon që nga zilja. Nëse nuk i japim kohë vetes për të bërë ritualet tona dhe për të menduar për prioritetet, imagjinoni sa në stres e fusim mendjen tonë që në mëngjes për disa gjëra që janë mëse të zakonshme. Nëse fillojmë me këtë stres, adrenalina nuk do të na ledhatojë gjatë ditës por niveli i stresit të ulë performancën tonë”, tha Rreli./Burimi:Top Chanel