Tenxheret janë si makina. Duhet të mësohesh me to, t’i vësh në provë, t’u mësosh pikat e dobëta dhe ato të forta.

Kur janë të reja, shkëlqejnë dhe më pas, nëse nuk tregoheni të kujdesshëm në përdorim dhe në mirëmbajtje, ato do të mbushen me njolla që mbivendosen sa herë që tenxherja përdoret në gatim.

Njollat në tenxhere nuk janë në varësi të materialit të saj por edhe sobës (me gaz apo me elektricitet) që përdorni.

Njihu me metalet

Alumini

Tenxheret prej alumini e përballojnë nxehtësinë mjaft mirë. Ato nxehen shpejt por edhe ushqimi ngjitet në to shumë shpejt. Për shembull, nëse gatuani peshk në një tigan ose tenxhere prej alumini do të vini re se shumica e peshkut do të ngjitet në të.

Giza

Është një përçues i dobët i nxehtësisë. Tenxherja ngrohet ngadalë por në mënyrë të njëjtrajtshme. Nxehtësia qëndron për një kohë të gjatë në të.

Nëse dëshironi të gatuani peshk në një tigan apo tenxhere prej gize, atëherë këtë të fundit duhet ta vendosni në zjarr disa minuta përpara gatimit.

Por pas ngrohjes, nxehtësia shpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme dhe gatimi do të jetë i mirë.

Çelik Inoksi

Tenxheret prej inoksi kanë një shtresë alumini në mes të dy shtresave të inoksit.

Metalet si alumini do të dëmtojnë dhe t’u japin shije metalike ushqimeve acidike, ndërkohë që inoksi do të ndryshket nëse lihet shumë gjatë në ujë.

Ndaj nëse do të duhet të gatuani peshk në një tenxhere apo tigan të tillë, duhet të dini që gatimi nuk do të jetë i shpejtë, por shija do të jetë e mirë dhe peshku do të mbetet kompakt.

Në mënyrë që të parandaloni njollat e djegies së tenxheres, duhet të mësoni si të dalloni zonat e nxehta dhe ato të ftohta. Të gjitha tenxheret e kanë nga një të tillë.

Kryeni një provë

Mbushni tenxheren me pak ujë dhe lëreni të marrë një valë në temperaturë të lartë. Zonat e nxehta janë vendet ku do të shikoni bulëzat e mëdha.

Zonat e ftohta janë vendet ku ka më pak bulëza ose asnjë prej tyre. Në shumë tenxhere, qendra e pjesës fundore konsiderohet si zonë e ftohtë.

Ushqimet që bien në kontakt në zonat e nxehta kanë tendencën të digjen dhe të ngjiten në fund të tenxheres.

Për të parandaluar ngjitjen e tenxheres, duhet të siguroheni që ushqimi që po gatuhet nuk do të qëndrojë gjatë në një zonë të saj por do të lëvizë herë pas here duke u përzierë me një lugë druri.

AgroWeb.org ju rekomandon të gatuani në temperatura mesatare dhe jo shumë të larta dhe ta përzieni ushqimin vazhdimisht.

Një mënyrë tjetër është të ndryshoni pozicionin e tenxheres që të lejoni ftohjen e zonave të nxehta dhe ngrohjen e zonave të ftohta.

Zgjidhje Pa Kimikate Kundër Njollave në Tenxhere

Çfarë ju nevojitet

  • 1 gotë me uthull
  • 2 lugë gjelle me sodë buke
  • 1 gotë me ujë
  • Pak lëng limoni

Udhëzimet

1. Ndizni sobën.

2. Mbushni pjesën fundore të tenxheres me një shtresë ujë.

3. Shtoni uthullën.

4. Lëreni të marrë një valë.

5. Hiqeni tenxheren nga zjarri dhe shtoni sodën e bukës.

6. Pas pak minutash, zbrazeni tenxheren dhe fërkojeni me larësin e enëve. Nëse është e nevojshme përdorni edhe pak sodë buke të thatë.

7. Nëse haseni me njolla kryeneçe, atëherë përziejeni sodën e bukës me disa pika ujë dhe lyeni njollat në tenxhere. Pas 10 minutash lajeni tenxheren sërish dhe do të shikoni si do të shkëlqejë ajo.

Shënime:

Metoda e mësipërme funksionon shumë mirë për njollat e përftuara nga ushqimet e djegura apo qumështi./AgroWeb.org