Sheqeri i bardhë e i përpunuar, konsiderohet si një prej armiqve më të mëdhenj të shëndetit.

Konsumi i lartë e i vazhdueshëm i sheqerit jo vetëm që zmadhon depozitat e yndyrës në trup por edhe shkakton dhjamosje të mëlçisë.

Kjo e fundit është faktor kontribues në shfaqjen e diabetit, që në vetvete nxit sëmundjet e zemrës.

Konsumi i sheqerit rrit tensionin e lartë të gjakut dhe inflamacionin kronik, dy faktorë të rëndësishëm në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës.

Po Sheqeri i Frutave? 

Gjithçka varet nga nevojat personale të organizmit.

Për shembull, nëse ju vuani nga diabeti apo nga ndonjë problem, trajtimi i të cilit kërkon një qasje të kujdesshme ndaj sasisë së sheqerit dhe karbohidrateve, atëherë duhet të tregoni kujdes edhe me frutat.

Në rastin e frutave, sheqeri vjen bashkë me fibrat, mineralet dhe vitaminat gjë që balancon situatën në organizëm.

Kësisoj, ai bëhet shumë herë më pak i dëmshëm se sheqeri i përpunuar.

Sidoqoftë, sheqeri mbetet sheqer, ndaj edhe në rastin e frutave, nuk duhet tepruar, ose më saktë duhet vendosur një ekuilibër.

Frutat më të mira, pra me më pak sheqer dhe me më shumë minerale, antioksidantë, vitamina dhe fibër janë boronicat, manaferrat, luleshtrydhet dhe boronicat e kuqe.

Si Të Kufizoni Sasinë Ditore Të Sheqerit Të Bardhë

Ekspertët thonë se kufizimi i sheqerit nuk është një mision i pamundur, nëse njeriu tregohet i kujdesshëm dhe i vëmendshëm.

Për shembull, drithërat ose tërshëra e mëngjesit nuk kanë nevojë të ëmbëlsohen me sheqer.

Në vend të tij mund të zgjidhni fruta.

Të gjitha pijet industriale që mbushen dyqanet në vend përmbajnë sheqer.

Në vend të tyre mund të përpiqeni të zgjidhni alternativa më të shëndetshme pa sheqer shtesë, ose më mirë akoma të pini ujë me fruta ose me limon.

Në vend të ëmbëlsirave apo biskotave mund të zgjidhni sërish fruta.

Nëse gatuani ëmbëlsira në shtëpi, atëherë mund të përgjysmoni sasinë e sheqerit të përdorur ose të zgjidhni ëmbëlsues natyralë më pak të dëmshëm.

Kini parasysh që salcat e ndryshme industriale si ajo e domates apo të sallatave përmbajnë shumë sheqer.

Kur të blini produkte të tilla, lexoni etiketat përkatëse dhe zgjidhni alternativën me më pak sheqer./AgroWeb.org