Qeshqeku është padyshim një suvenir në mesin e recetave autentike të kuzhinës shqiptare.

Fantastik në shije dhe krejt unik në përbërës dhe përgatitje, ky specialitet tipik shqiptar mbetet ndër pjatat më të përsosura të traditës.

Dikur, Qeshqeku përgatitej në raste të veçanta festash familjare apo kur shtëpinë e vizitonin miq e të afërm.

Servirja e Qeshqekut në tryezë ishte një nga mënyrat fantastike përmes së cilës të zotët e shtëpisë nderonin me mikpritjen e tyre miqtë.

Sot, kjo pjatë gjendet si një ndër gatimet më të çmuara tradicionale pjesë e menuve të restoranteve tradicionalë.

Përgatitja e Qeshqekut kërkon durim dhe mbi të gjitha mjeshtërinë e amvisave në mënyrë që shija e tij të dalë vërtetë perfekte.

Përgatitja e Qeshqekut me Pulë dhe Grurë

Përbërësit

1 pulë e majme 1 kg

2 filxhan çaji me grurë

3 lugë gjelle me gjalpë të freskët

Për një gatim më të shëndetshëm, AgroWeb.org ju sugjeron përdorimin e vajit të ullirit.

Gjysmë filxhan çaji me arra të thërrmuara

Kripë

Piper i zi

2-3 lugë me rrush të thatë (sipas preferencës)

Përgatitja

Si fillim, pastrojmë me ujë të rrjedhshëm pulën.

E ndajmë në copa, e vendosim në një tenxhere me ujë dhe kripë dhe e lëmë të ziejë.

Lihet që të ziejë sa të zbutet mishi.

Lëngun e pulës ruajeni mënjanë sepse do përdoret për përgatitjen e grurit.

Nëse preferoni pulën mund ta fusni dhe ta piqni edhe në furrë, duke e kriposur, lyer me pak gjalpë dhe duke i hedhur 1 gotë e gjysmë ujë.

Edhe në këtë rast mundohuni që të lini mënjanë disa lugë gjelle nga lëngu i pulës.

Ndërkohë përgatisim grurin. E pastrojmë me ujë të bollshëm dhe më pas e kullojmë.

AgroWeb.org ju këshillon që para nisjes së përgatitjes së kësaj recete gurin ta vendosni në një tas me ujë dhe ta lini përreth dy orë në mënyrë që të zbutet më shpejt.

Më pas, shtypeni grurin përmes një çekani kuzhine (rrahës mishi).

Vendoseni në një tenxhere me 700 ml -1l ujë dhe vendoseni në zjarr derisa gruri të ziejë.

Në momentin që gruri ka zierë dhe masa është trashur shtoni arrat, pak nga lëngu i pulës, gjalpin e freskët, kripën dhe piperin e zi.

Salcën e përftuar e vendosni në një pjatancë të madhe, sipër i hidhni pak rrush të thatë si dhe pulën e pjekur ose thelat e mishit të saj./AgroWeb.org