Dashamirësit e produkteve natyrale për shëndetin e lëkurës bëjnë be e rrufe për vlerat që ka uthulla e mollës për lëkurën.

Sipas tyre, uthulla e mollës është efikase jo vetëm në eliminimin e puçrrave, por edhe të zbukuron fytyrën.

Së fundmi, uthulla e mollës, po këshillohet gjithandej të përdoret edhe si tonik

Siç ndodh rëndom në të gjitha trajtimet e bukurisë, edhe në rastin e uthullës nuk ka studime shkencore të mjaftueshme për t’i vënë vulën pretendimit se uthulla është e mirë për lëkurën.

Megjithatë, ky produkt ka mjaftueshëm aciditet për të balancuar lëkurën që luhatet nga e thata deri në vajore.

Acidet tek uthulla gjithashtu munden të ndihmojnë në zvogëlimin e poreve duke i bërë ato më pak të dukshme.

Si Ta Përgatisni Vetë Në Shtëpi Tonikun Me Uthull Molle

Uthulla e mollës, kur hollohet me ujë, ofron një tonik që rikthen pehashin e lëkurës në nivele normale.

Ajo largon bakteret dhe qelizat e vdekura dhe zhbllokon poret duke i dhënë lëkurës shëndet dhe gjallëri.

Për përgatitjen e këtij tonikut ju duhet të tresni një filxhan çaji uthull në dy filxhanë çaji ujë.

Tretësirën hidheni në një shishe qelqi dhe tundeni mirë.

Toniku duhet aplikuar pas larjes së fytyrës.

Atë mund ta vendosni në fytyrë duke përdorur pambuk.

Vendosja e tonikut duhet bërë në lëvizje rrethore e të buta, duke shmangur zonën e syve.

Pas tonikut, prisni sa të thahet lëkura dhe më pas vendosni kremin ushqyes për fytyrën.

Shishja me tonikun e uthullës së mollës duhet ruajtur në një vend të freskët e në errësirë.

Ky tonik nuk duhet të përdoret nga njerëzit me lëkurë të thatë.

Nëse keni lëkuë të ndjeshme, hollojeni më shumë uthullën me ujë dhe bëni një provë në pjesën e sipërme të dorës që të kuptoni nëse ky tonik ju irriton lëkurën ose jo. /AgroWeb.org