Speca në Ajkë janë ndër zahiretë më të shijshme të kuzhinës tradicionale shqiptare.

Të veçanta në shije dhe aromë, ky gatim special i grave shqiptare të kënaq nepsin dhe oreksin veçanërisht kur shërbehen si meze apo pjesë e antipastave të ndryshme në tryeza festash, drekash apo darkash familjare.

Kjo recetë është kryesisht recetë e veriut të Shqipërisë por përgatitet sigurisht edhe në zonat e tjera shqiptare.

Është ndër gatimet më të shijshme, të pasura me shumë vlera shëndetsore.

Fantastike në shoqërimin e çdo lloj gatimi, nga pjatat e lehta të supave e gjellëve të ndryshme tek byrekët, tavat e shijshme shqiptare apo mishrat e ndryshëm.

Janë turshitë që lezetosin me aromën e tyre fantastike çdo tryezë shqiptare e që pasurojnë menunë e çdo restoranti që në larminë e gatimeve të tij ka shijen fantastike të traditës shqiptare.

Specat në ajkë përgatiten krejt lehtë në shtëpi. Ato janë fantastike për t’u përgatitur në sasi të mëdha e për t’u shërbyer më pas përgjatë gjithë stinës së dimrit e në vijim, duke shoqëruar gjellë e gatime të ndryshme.

Më poshtë, AgroWeb.org u sugjeron recetën e  përgatitjes së specave në ajkë, një nga recetat e zahireve më të mira shqiptare, e cila sigurisht nuk duhet të mungojë në tryezat tuaja.

Përgatitja e Specave në Ajkë

Përbërësit

2 kg speca
1 kg djathë i bardhë,
500 gr ajkë qumështi
qumësht
kripë

Përgatitja

Specat pastrohen me rradhë një e nga një dhe përmes një pecete kuzhine u thahet uji.

Më pas, përmes një thike të mprehtë u largohet bishti dhe farat.

Në vijim, në një tas hidhet djathi dhe thërrmohet. Më pas, shtohet ajka e qumështit dhe përzihet.

Provohet për kripë, dhe nëse ka marrë mjaftueshëm nga djathi i hidhet edhe pak.

E gjithë masa përzihet mirë dhe më pas nis mbushja e specave.

Të gjithë specat e mbushur i vendosim me radhë në kavanoza të sterilizuar.

Në fund, tek kavanozat shtojmë qumësht derisa specat të  mbulohen tërësisht.

Pasi mbushen të gjitha kavanozat mbyllen fortë me kapakë dhe mbahen ashtu të pa hapur përreth  një javë apo 10 ditë./AgroWeb.org