Thjerrëza me Xhinxher e Limon – Supa Magjike plot Shëndet

1k 0

Është pjata ideale për t’i dhënë organizmit dhe trupit imunitet, forcë dhe energji.

E shëndetshme, e shijshme dhe pak pikante kjo është një pjatë fantastike, e cila falë ushqyesve që ka plotëson në mënyrë perfekte normën ditore të organizmit për fibra, hekur dhe proteina.

Ditët e ftohta kanë mbërritur, e bashkë me to edhe virozat, gripi dhe komplikacionet e tjera shëndetsore që sjell i ftohti.

Padyshim, mund të vishemi më trashë e të sigurohemi që të qendrojmë ngrohtë por nëse ka një mënyrë për të qenë vërtetë të ngrohtë e plot gjallëri përgjatë dy stinëve të ftohta të vitit është konsumimi i supave dhe pjatave të ngrohta, me vlera të larta ushqyese.

Supa me thjerrza dhe xhinxher përbën një vakt të shëndetshëm për këdo që e konsumon, jo vetëm për vlerat shëndetsore që ka, por edhe për efektet mbrojtëse që i dhuron organizmit kundër të ftohtit dhe virozave gripale të stinës.

Një alternativë e shkëlqyer që AgroWeb.org sugjeron më poshtë është supa me xhinxher dhe thjerrëza.

Vlerat shëndetsore

Supa me thjerrëza dhe xhinxher është një burim i mirë proteinash dhe fibre. Çdo racion i kësaj supe përmban 11.1 gramë fibër që plotëson një pjesë të rëndësishme të dozës prej 25-38 gramë të fibrës që duhet të konsumoni çdo ditë.

Fibra i bën mirë sistemit tretës dhe zorrëve, duke parandaluar diarenë, konstipacionin dhe sëmundje të tjera të aparatit tretës.

Një racion me supë me thjerrëza plotëson pothuaj të gjithë nevojën tuaj ditore për hekur.

Në mesin e ekspertëve të mjekësisë popullore besohet se ushqimet pikante mund të luftojnë të ftohtit, ky është edhe rasti i supës me thjerrza dhe xhinxher.

Efektet mirëbërëse të ushqimeve pikante arrijnë të çlirojnë rrugët e frymëmarrjes nga sekrecionet. Alicina që gjendet tek hudhra, një nga përbërësit e kësaj supe, është shumë e dobishme kundër të ftohtit dhe gripit.

Për të përfituar maksimalisht nga vlerat mbrojtëse të kësaj supe, AgroWeb.org sugjeron një recetë të lehtë për përgatijen e saj në kushtet e shtëpisë.

Përgatitja e Supës me Thjerrza

Përbërësit

  • 2 lugë gjelle me vaj ulliri ekstra të virgjër
  • 1 qepë të madhe të grirë hollë
  • 2 karrota të grira
  • 2 thelpinj hudhër
  • 1 filxhan të vogël me xhinxher të grirë
  • 1 lugë çaji me rigon të thatë
  • 1 filxhan çaji me thjerrëza
  • 6 gota me lëng perimesh
  • Një lugë e gjysëm çaji me kripë
  • Gjysëm luge çaji me piper të zi të bluar
  • Lëngu i gjysmë kokërre limoni (Hidhet në përfundim kur supa është gati)

Udhëzimet për supën e shijshme

  • Qëroni dhe shtypni thelpinjtë e hudhrës. Lërini mënjanë për 5-10 minuta që të çlirojnë të gjithë substancat mirëbërëse.
  • Ngrohni vajin e ullirit në tenxhere. Shtoni qepën dhe kavërdiseni për 3 minuta duke e përzier herë pas here.
  • Shtoni lëngun e perimeve, thjerrëzat, xhinxherin, karrotat, specin djegës, rigonin, kripën dhe piperin. Lërini të ziejnë për 25 minuta me kapak të mbyllur.
  • Shtoni hudhër dhe lëreni të ziejë edhe për 5 minuta të tjera. Në fund hedhim lëngun e limonit.
  • Servireni nëpër pjata dhe hajeni të ngrohtë./AgroWeb.org

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.