Peshku ton është një ushqim shumë i shëndetshëm dhe me leverdi për konsumatorin. Falë tij, mund të marrësh dozën e nevojshme të proteinës shpejt dhe pa shumë kokëçarje.

Ky produkt mund të përfshihet në regjimin tuaj ushqimor në mënyra shumë të thjeshta dhe praktike. Atë mund ta gjeni thjeshtë dhe lehtë kudo.

Në 100 gram racion të peshkut ton do të përfitoni 30 gramë proteinë, por edhe nivele të larta të kaliumit, vitaminës B12, fosforit dhe seleniumit.

Seleniumi është një antioksidant i nevojshëm për tiroiden, metabolizmin dhe imunitetin.

Por përfitimi më kryesor shëndetësor i peshkut ton është ndikimi i tij i rëndësishëm në shëndetin e zemrës.

Peshku ton është shumë i pasur me Omega-3, të cilat ndihmojnë në zvogëlimin e kolesterolit dhe mbrojnë në arteriet dhe enët e gjakut.

Për më tepër, ky peshk zëvendëson ushqimet me përmbajtje të lartë yndyre, duke ulur më tej rrezikun e sëmundjeve të zemrës të llojeve të ndryshme.

Ofertat e tregut për peshk ton janë të larmishme aq sa mund të shkaktojnë konfuzion mbi produktin më të mirë dhe më të shëndetshëm.

Për këtë arsye, AgroWeb.org ka zbërthyer alternativat më të mira dhe më të shëndetshme që do t’ju ndihmojnë të përzgjidhni produktin më të mirë të mundshëm.

Peshk ton konservë

Në këtë rast, konsumatori përballet kryesisht me disa zgjedhje: peshk ton të konservuar në ujë, vaj vegjetal ose në vaj ulliri.

Nëse do ta përdorni në gatime, toni i konservuar në ujë është zgjidhje e mirë. Nëse do ta konsumoni siç është zgjedhja e tonit të ruajtur në vaj ulliri është zgjedhja më cilësore.

Kur blini ton të konservuar, tregoni vëmendje origjinës së peshkut, e cila domosdo duhet të shënohet mbi konservë.

Ky është detyrim për prodhuesit nga Bashkimi Evropian dhe ka të bëjë me sigurinë e konsumatorit.

Toni i freskët

Sigurohuni që gjithnjë të blini peshk të freskët. Shmangni peshkun që ka pika me ngjyrë kafe të errët ose një lustër të ylbertë.

Përzgjidhni vetëm peshkun që mban aromën e detit dhe të freskisë dhe madhësinë më të vogël.

Peshkun ton mund ta konsumoni një ose dy herë në javë për sa kohë nuk konsumoni peshq të tjerë.

AgroWeb.org ju rekomandon të zgjeroni horizontin e shijes me këto 3 receta të shijshme.

Sallata e shpejtë me vezë

Mos u mjaftoni vetëm me peshk të konsumuar direkt nga koserva.

Kombinojeni atë me një sallatë me spinaq të freskët, vezë të ziera, ullinj të zi, domate qershizë, piper dhe bizele.

Për ta pasuruar shijen kombinoni dy lugë gjelle me uthull vere të kuqe, çerek gote me vaj ulliri, gjysëm luge çaji me mustardë, hudhër, pak kripë, piper të zi, majdanoz dhe borzilok.

Krepa me ton pikant

Domatet, specat djegës, një tufë majdanoz, lëngu i dy limonave dhe vaji i ullirit e transformojnë peshkun ton në një masë të shijshme për të mbushur pitet, krepat ose paninet.

Kjo recetë është shumë e shijshme dhe pa yndyrë. Ngroheni peshkun bashkë me përbërësit e tjerë dhe shtrojini në paninen e drekës.

Peshk ton i kavërdisur

Edhe peshku ton konservë mund të kavërdiset. Mjafton ta hidhni atë në një tigan, të shtoni salcë soje, xhenxhefil pluhur, perime dhe speca të kuq.

Kavërdisini të gjithë përbërësit dhe servirini mbi një sallatë me rukola ose pilaf./AgroWeb.org