Ju mund të mos keni dëgjuar për uthullën balsamike të hurmës, por në shumë vende të Azisë, kjo uthull është ndër produktet më të kërkuara sepse është bazë e shumë gatimeve tradicionale.

Hurma është një frut i pasur me vitaminë A, B6 dhe C. Ajo është e mbushur me minerale të dobishme siç janë: kalciumi, magnezi, fosfori, kaliumi si dhe fibra.

Hurma përmban pak kalori dhe aspak yndyrë, ndaj është një frut i rekomanduar për ata që janë në dietë.

Ekstraktet e hurmës fermentohen dhe ofrohen në variante të shëndetshme të tonikut dhe uthullës. Sipas të dhënave të AgroWeb.org, kjo uthull përdoret për të pastruar mëlçinë dhe gjakun.

Uthulla e hurmës karakterizohet nga ngjyra e kaftë dhe shija e veçantë mes të ëmblës dhe të thartës.

Vlerat shëndetësore të uthullës së hurmës:

1.Parandalon dëmtimet e mëlçisë dhe zorrëve

Uthulla e hurmës është një pastruese shumë e mirë e mëlçisë. Ajo rekomandohet kryesisht për njerëzit që pinë shumë alkool.

Një studim i vitit 2008 arriti në konkluzionin se uthulla e hurmës ndihmon në parandalimin e dëmtimeve të mëlçisë nga konsumi i alkoolit.

I njëjti studim tregon se uthulla e hurmës ndihmon në parandalimin e çrregullimeve të zorrëve.

2.Ul kolesterolin e keq

Konsumi i rregullt i uthullës së mollës ul kolesterolin e keq dhe zbut dëmtimet e mëlçisë.

Uthulla e hurmës përmban disa substanca që ulin trigliceridet në sistem. Trigliceridet janë një lloj yndyre që digjet nga trupi për të marrë energji.

Konsumimi i uthullës së hurmës është një mënyrë e shkëlqyer për të nisur uljen e kolesterolit të keq.

3.Ndihmon në rritjen e gjallërisë, përqëndrimit dhe rezistencës

Uthulla e hurmës përdoret në shumë pije komerciale për sportistët, sepse rrit rezistencën dhe përqëndrimin e atletëve.

Shumë sportistë Aziatikë e konsumojnë uthullën e hurmës, sepse besojnë se ky tonik ndihmon në përthithjen e oksigjenit gjatë stërvitjes dhe shkurton kohën e rimëkëmbjes pas stërvitjes.

4.Parandalon obezitetin

Nëse po përpiqeni të bini në peshë, atëherë uthulla e hurmës do t’ju ndihmojë në shkrirjen e yndyrës shumë më shpejt.

Një studim shkencor zbuloi që uthulla e hurmës, jo vetëm që parandalon obezitetin, por edhe normalizon nivelin e lipideve në gjak.

Konsumimi i kësaj uthulle, krahas mbajtjes së një diete të shëndetshme dhe stërvitjes së rregullt, ndihmon në rënien e shpejtë nga pesha.

Lexoni më poshtë rekomandimet e AgroWeb.org mbi përgatitjen e uthullës së hurmës.

Përbërësit:

4 kg hurma të varieteteve të ndryshme

Udhëzimet:

1. Hidhini hurmat në një tenxhere. Mbulojeni me një napë ose pëlhurë të dendur dhe izolojeni mirë që të shmangni insektet. Vendoseni tenxheren në një vend të ekspozuar në diell.

Në javët e para, duhet t’i përzieni hurmat një herë në dy ditë që të shmangni prishjen e tyre. Përziejini dhe provojini herë pas here për disa javë.

Kur të kuptoni që shija e hurmave ka nisur të marrë nuancat e uthullës, atëherë mos e përzieni më dhe lëreni masën xhelatinoze të qëndrojë e paprekur në muajt e freksët të fillimit të pranverës.

Provojeni masën xhelatinoze herë pas here, por mos e ngacmoni sipërfaqen e saj që ka marrë formën e një disku të mirëfilltë xhelatinoz.

2. Kur shija e kësaj mase të jetë plotësisht uthull (shija përftohet pas 3 muajsh), atëherë merrni një enë të pastër, një kullesë dhe napë të pastër.

Mbi to hidhni katër filxhanë të qullit të hurmave dhe lëreni të kullojë natyralisht. Kullimi do të zgjasë disa orë. Më pas qulli i mbetur në napë duhet shtrydhur për të nxjerrë lëngun e mbetur.

3. Mos u alarmoni nëse shikoni copëza xhelatinoze në lëng. Kjo do të thotë që e keni tepruar disi me përzierjen./AgroWeb.org