Zymbyli Magjepsës – Si ta Rrisni në Shtëpi

2.6k 0

Zymbyli është frymëzim i shumë krijimeve të bukura të foklorit shqiptar.

Kjo lule natyrale arrin të magjepsë këdo. Ajo vesh me ngjyrat vjollcë dhe blu lëndinat dhe zonat pyjore të Shqipërisë.

Në foklor, zymbyli njihet si lulja e zanave. Legjenda thotë se nëse vendosni kurorë me lule zymbyli, do të ndiheni të detyruar për të thënë vetëm të vërtetën.

Zymbyli është simbol i përulësisë dhe shpesh i mirënjohjes. Kjo lule shpesh shoqërohet me simbolikën e dashurisë së përjetshme dhe qëndrueshmërisë.

Rritja e zymbylit në ujë është mënyra më e bukur për t’i dhënë shtëpisë suaj ngjyra dhe aroma nga më fantastiket.

Gonxhet e zymbylit kanë një aromë të mahnitshme ndërkohë që ngjyra e tyre me nuanca të rozës dhe vjollcës është krejt unike.

Zymbyli kërkon vazo me grykë të vogël sepse i mban lehtë dhe të bashkuar kërcenjtë mbi ujë ndërkohë që pjesa e poshtme shijon hapësirën dhe ujin për të cilat ka aq shumë nevojë.

Zhardhokun e zymbylit mund ta blini në tufa dhe ta rrisni në vazon përkatëse që të mbajë nën kontroll rritjen e lules.

Këto vazo me grykë të vogël dhe bazë të gjërë lejojnë rrënjët e lules të rriten në hapësirë dhe në ujë të bollshëm.

AgroWeb.org ju këshillon të mbushni vazon me ujë të mjaftueshëm që të arrijë deri tek pjesa e zhardhokut, por mos ta prekë atë.

Lini një hapësirë të konsiderueshme mes ujit dhe bazës së zhardhokut i cili nëse bie në kontakt me ujin ka tendencë të kalbet.

Pas pak kohësh, rrënjët do të fillojnë të dalin e të zhyten në ujë ndërkohë që zymbyli dalëngadalë do të lulëzojë.

Vazon vendoseni në një zonë të errët dhe të freskët deri sa rrënjët të jenë shpërndarë në ujë dhe sythat e bimës të kenë çelur pak. Ujin e enës duhet ta ndërroni dy herë në javë.

Vazoja duhet të ketë gjithnjë ujë të freskët në mënyrë që zymbyli të çelë plotësisht dhe plot bukuri.

Më pas, vazon transferojeni në një vend më të ngrohtë dhe me më shumë dritë. Momenti i duhur është kur gjethnaja e lules është 5 centimetra dhe rrënjët janë tejzgjatur deri në fund të vazos.

Zgjidhni vendin më të ndriçuar (por shmangni dritën e plotë të diellit) në shtëpi dhe lëreni zymbylin të lulëzojë plotësisht.

Zymbyli tërhiqet nga drita, ndaj rrotullojeni vazon çdo ditë që lulja të mos anojë në një drejtim të vetëm.

Pas dy javësh, zymbyli do të ketë çelur plotësisht. Keni kohë plot për të shijuar aromën e zymbylit dhe bukurinë e tij./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.