Ka disa bimë zbukuruese e madje edhe disa perime të zakonshme që do të donim t’i kishim në kopshtet tona.

Por pas disa ditësh, fillojmë të kuptojmë se disa prej tyre nuk janë aq të lehta për t’u rritur, prandaj ka pak gjasa t’i shihni nëpër oborre.

Përpara se të filloni me rritjen e tyre është mirë të bëni disa kërkime për të mësuar se çfarë kushtesh kërkon secila.

AgroWeb.org ju vjen në ndihmë duke ju njohur me disa prej bimëve më të vështira për tu rritur.

Orkidetë

Edhe pse janë një nga bimët më të njohura të shtëpisë, ato janë tepër të brishta.

Orkidetë duhet të qëndrojnë në një dhomë me temperaturë midis 15 dhe 30 gradë Celsius.

Ato e adhurojnë diellin e mëngjesit, por preferojnë hijen për pjesën tjetër të ditës.

Një tregues që bima po merr mjaftueshëm diell është nëse gjethet janë jeshile të lehta. E nëse janë shumë të errëta, kjo do të thotë se nuk po marrin mjaftueshëm diell.

Gjithashtu, gjatë ujitjes duhet të lejoni që toka të thithë plotësisht ujin midis intervaleve.

Duhet të dini edhe se orkidetë kërkojnë ushqim një herë në muaj.

Lulelakra

Lulelakra mund të duket si një objektiv i lehtë, por kërkon një sezon të gjatë rritjeje.

Gjithashtu mund të jetë një perime e vështirë për t’u rritur pasi nuk pëlqen mot shumë të nxehtë apo shumë të ftohtë.

Farat e lulelakrës duhet të mbillen mjaft herët për tu pjekur në kohën kur fillon vera. Ato nuk duhen mbjellë as shumë vonë, për të mos arritur një sezon shumë të ftohtë.

Selinoja

Të gjithë duam që kërcenjtë e selinos të jenë krokante dhe të shijshme, por jo çdo kush mund t’i rrisë ato në mënyrën e duhur.

Selinoja kërkon shumë lagështi, kjo do të thotë që duhet të mbillet vetëm në një tokë që mund ta mbajë mirë ujin.

Gjithashtu sezoni i rritjes është pak i gjatë dhe varion nga 120-180 ditë nga mbjellja e farës deri në korrje.

Qepët

Qepët janë pothuajse pjesë e çdo vakti që hamë.

Ato janë të vështira për t’u mbjellë pasi janë shumë të ndjeshme ndaj sasisë së dritës që marrin.

Kur përpiqeni të mbillni një qepë, është e rëndësishme të dini kushet e mbjelljes sepse ato ndryshojnë sipas varieteteve.

Pjepri

Edhe nëse keni pasur sukses në rritjen e tyre, asnjëherë nuk mund të jeni shumë të sigurt që do të jenë të shijshëm.

Toka ku do të rrisni pjeprin duhet të ruajë lagështinë për të parandaluar prishjen e frutit.

Plus, ndryshimet ekstreme të temperaturës mund të ndikojnë në cilësinë e tij.

Kopshtaria është një aktivitet që vjen me shumë përfitime shëndetësore, por duhet të siguroheni që të mos hasni në disa bimë që do t’ju stresojnë më shumë sesa do t’ju falin kënaqësi! /AgroWeb.org