Të kesh një kopësht të mirëfilltë, ku mund të rrisësh e kultivosh barishtet dhe perimet e preferuara është e mrekullueshme. Nuk ka gjë më të mirë se freskia, dhe barishtet arrijnë të gjallërojnë edhe gatimin më të zakonshëm.

Për fat të keq, në kushtet e jetesës urbane, të pasurit e një kopështi është kthyer në luks. Jo të gjithë kanë hapësira për të pasur bahçen personale. Por lajmi i mirë është që nuk kemi nevojë për shumë hapësirë për të rritur disa prej barishteve tona të preferuara. Shumica prej tyre dinë të bashkëjetojnë në një vazo, por ka disa përjashtime.

Ekzistojnë disa rregulla bazë për rritjen dhe kultivimin e barishteve. Lexoni këtë artikull të AgroWeb.org dhe zbuloni cilat barishte shkojnë mirë me njëra-tjetrën dhe që mund t&eeuml; rriten së bashku në të njëjtën vazo, si dhe informacione të reja për këtë aktivitet që i bën shumë mirë trurit dhe trupit.

Kur përzgjidhni barishtet që dëshironi merrni në konsideratë gjatësinë e fidanëve dhe rrënjëve. Barishtet gjatoshe, siç është kopra, do të dukeshin qesharake në një vazo të vogël. Madje ato mund të rëndojnë më tepër duke e rrëzuar atë. Idealja është që të përzieni barishtet e duhura të cilat arrijnë të derdhen hijshëm mbi vazo, por nuk e rëndojnë atë.

Sigurohuni që të zgjidhni bimë që kanë nevoja të ngjashme për ujitje. Të gjitha barishtet e duan diellin, por disa mund të kenë më shumë nevojë për ujitje se të tjerat. Për shembull, rozmarina, timusi dhe sherebela e durojnë thatësinë, por majdanozi dhe borziloku janë të brishta dhe kanë nevojë për pak më shumë lagështi. Nëse jeni neglizhentë dhe e dini që nuk do të jeni të përpiktë me ujitjen, atëherë zgjidhni ato barishte që e tolerojnë thatësinë.

Nenexhiku dhe mentja duhen mbjellë veçmas. Këto barishte kanë tendencën të zënë më shumë hapësirë për veten, duke stërmunduar barishtet e tjera. Gjithashtu, duhet të kini kujdes kur të mbillni së bashku varietetet e ngjashme ose të të njëjtës familje botanike, sepse këto bimë kanë tendencën të kryqëzojnë pjalmimin.

Cilat bimë barishtore mund të rriten bashkë në një vazo?

Shqipëria është e pasur me shumë bimë barishtore që përdoren në gatim. Këto bimë e duan diellin dhe kanë nevojë për dhé relativisht të thatë.

Disa prej shembujve të bimëve barishtore që dinë të bashkëjetojnë në një vazo janë sherebela, timusi ose trumza, rozmarina, borziloku, rigoni dhe lavandula.

Jo pak prej këtyre bimëve barishtore mund të rriten dhe zmadhohen ndjeshëm me kalimin e kohës dhe ndoshta do të ishte e udhës të transplantoheshin në një hapësirë më të madhe. Timusi i përshtatet këndshëm rozmarinës dhe sherebelës dhe vazoja juaj do të ngjajë shumë harmonike me këto bimë të jashtëzakonshme.

Bimët barishtore që e duan lagështinë si artemisa, koriandra dhe majdanozi mund të bashkëjetojnë. Borziloku mund të jetë një shtesë e mirë, por kini kujdes sepse kjo bimë ka një jetëgjatësi dy vjeçare. Së bashku do të lëshojnë një aromë pothuajse hyjnore./AgroWeb.org