Në Shqipëri sektori i turizmit vazhdon të jetë në krizë për shkak të pandemisë. Një pjesë e angjencive turistike janë mbydhur, ndërsa të tjerat ende nuk kanë nisur nga rezervimet për sezonin turistik veror. Ndërkohë, përfaqësues të shoqatës së operatorëve turistikë shprehen se ka vonesa në promovimin e sezonit të ri turistik. Shqipëria ka nisur vaksinimin masiv të popullatës dhe pritet të heqë masat kufizuese për sezonin turistik veror.

Kur ka kaluar një vit nga fillimi i pandemisë dhe masave kufizuese, sektori i turizmit, një nga më të rëndësishmit për ekonominë e Shqipërisë, vazhdon të jetë në krizë. Genta Mustali, operatore turistike në një nga agjencitë turistike të Shkodrës, thotë se kur mbeten vetëm pak javë nga fillimi i sezonit të ri turistik veror, ende nuk ka kërkesa për rezervime nga frike e pandemisë.

“Rezervimet nuk ka filluar aspak. Sadoqë kemi bërë reklama për pushimet e sezonit veror, por nuk ka rezervime, nuk ka pyetje dhe as kërkesa”.

Mungesa e kërkesës ka bërë që të mbydhen një numër i agjencive turistike, në pamundësi për të përballuar shpenzimet, taksat, qiratë dhe pagat e punonjësve. Genta thotë se edhe ky vit duket se do të jetë i vështirë për operatorët turistikë, nëse strukturat shtetërore nuk mbështesin këtë sektor në kohën e duhur.

Sokol Hoxha, pjesëtar i shoqatës së operatorëve turistikë të Shqipërisë, thotë se turizmi nuk është vetëm dy muajt e verës, por ai shtrihet gjatë gjithë vitit, ç’ka do të thotë se kërkohet një vemendje dhe mbështetje më e madhe nga strukturat qendrore dhe ato vendore. Edhe ky vit, shton ai, parashikohet i vështirë për operatorët turistikë pasi pandemia po shoqërohet edhe me një luftë ekonomike mes vendeve të rajonit se kush të tërheqë më shumë pushues.

“Nëse shikojmë vendet përrreth, kanë fillu një promocion, marketing, shumë të madh për me thith turista, të vaksinum apo të pavaksinum. Pra, ka fillu një marketing shumë i egër në vendet e rajonit, që tek ne fatkeqësisht është një vit që kemi edhe zgjedhje, të cilat pengojnë marketingun pasi nuk e kanë mendjen institucionet për me thith turista.”

Me fillimin e vaksinimit masiv të popullatës, Shqipëria pritet që, gjatë sezonit veror, të heqë të gjitha kufizimet, një masë kjo lehtësuese për sektorin e turizmit. Por zoti Hoxha thotë se, krahas kësaj, është e nevojshme që qerveria të bashkëpunojë me vendet e tjera edhe për procesin e vaksinimit të turistëve.

Gjatë vitit të kaluar të ardhurat në ekonominë shqiptare nga turistët e huaj u tkurrën me 1 miliard e 93 milionë euro, ndërsa numri i vizitorëve të huaj pësoi një rënie prej 45 përqind, duke dëshmuar kështu krizën që përjetoi ky sektor për shkak të pandemisë COVID-19./Burimi:VOA