Si të Përgatisni Pijen e Shijshme Alkoolike me Vezë në Shtëpi

523 0

Origjina e kësaj pije që AgroWeb ju sjell sot, vjen nga Britania mesjetare dhe njihet si “Eggnog”. Ajo bëhet nga një përzierje dhe gatim i vezëve, qumështit, panës për ëmbëlsira, erëza si arra e moskatit e vanilja dhe fortifikohet me rum, uiski ose brendi.

Kjo pije kaq e shijshme dhe aq pak alkoolike sa thuajse nuk ndihet, por jeni të lirë të shtoni ose të mos shtoni fare alkool në të.

Është perfekte për një ditë të veçantë, festë apo thjeshtë për ta shijuar me të dashurit tuaj.

AgroWeb.org ju tregon mëposhtë mënyrën e lëhtë të përgatitjes së saj dhe jua sugjeron ta provoni sa më shpejt.

Përbërësit:

  • 6 të verdha veze
  • ¾ gota sheqer
  • 2 gota qumësht
  • 2 kokrra karafili
  • Kanellë me majat e gishtave
  • 1 gotë pana për ëmbëlsira
  • 1 lugë çaji arrë moskati e grirë
  • 1 ½ lugë çaji ekstrakt vanilje
  • 3 lugë gjelle rum

Përgatitja:

  • Rrihni të verdhat e vezëve e më pas sheqerin

Në një tas të madh, rrihni të verdhat e vezëve me një mikser elektrik derisa ngjyra e tyre të zbehet. Shtoni me ngadalë sheqerin dhe vazhdoni t’i rrihni derisa masa të fryhet.

  • Ngrohni qumështin bashkë me kanellën dhe farafilin

Në një tenxhere të thellë me fund të trashë shtoni qumështin, kanellën, karafilat dhe i lini të nxehen në zjarr mesatar.

  • Shtoni vezët

Në tasin ku keni rrahur vezët shtoni gati gjysmën e masës së qumështit dhe e përzierë vazhdimisht. Pasi tempëratura të jetë njëtrajtësuar, kalojeni masën e vezëve nga tasi tek tenxherja ku ndodhet edhe pjesa e mbetur e qumështit, duke e përzierë në mënyrë konstante.

  • Gatuajeni derisa masa të trashet

Në zjarr mesatar, gatuajeni masën duke e përzierë vazhdimisht me një lugë druri. Qëllimi është që masa të trashet. KUJDES! Mos e lini masën të vlojë pasi veza do të prihet. (Nëse veza prihet vetëm pak, mund të mundoheni ta shpëtoni atë duke e hedhur në një mikser.)

  • Largojeni nga zjarri dhe shtoni panën për ëmbëlsira
  • Kullojeni dhe lëreni të ftohet

Kullojeni masën në një sitë ose kullesë, për të larguar karafilat apo kokrrizat e formuara dhe e lini në tempëraturë ambienti për rreth 1 orë.

  • Shtoni ekstraktin e vaniljes, arrën e moskatit dhe rumin.

Nëse dëshironi mund të lini mënjanë një pjesë pa alkool për fëmijët.

Servireni atë të ftohtë gjatë verës, ndërsa në stinët e tjera mund ta servirni në tempëraturë ambienti ose të ngrohtë. Ju sugjerojmë të shtoni kanellë ose kafe të bluar sipër për dekor dhe shije.

Ruajeni në frigorifer për disa ditë, pasi ajo ka tendencën të bëhet e hidhur me kalimin e kohës.