Tre Çajra Unikë nga Malet Shqiptare

3.9k 2

Janë thesare të maleve të Shqipërisë. Shije dhe vlera unike që rigjenerojnë trupin dhe vitalizojnë organizmin.

Janë tre çajra unikë që Shqipëria ka fatin t’i ketë. AgroWeb.org do t’ju njohë sot me çajin më të shijshëm dhe mirëbërës, një kombinim i çajit të malit, rigonit të kuq dhe sherebelës. Do të flasim për vlerat fantastike të këtyre bimëve për shëndetin dhe mënyrën si të përgatisni këtë çajin magjik.

Çaji i malit

Çaji shqiptar i malit përftohet nga gjethet e bimës së varietetit Sideritis Raeseri. Ky çaj bimor i maleve të Shqipërisë është konsumuar prej shekujsh falë vlerave të tij shëndetësore.

Çaji i malit është natyralisht pa kafeinë. Studiuesit kanë zbuluar se ekstraktet e çajit të malit ulin nivelet e tensionit të gjakut dhe qetësonin enët e gjakut.

Studimet gjithashtu konfirmuan rolin pozitiv të kësaj bime për shëndetin e zemrës. Inflamacioni dhe toksiciteti ulen për një periudhë afatgjatë si pasojë e aftësive mbrojtëse të çajit shqiptar të malit.

Rigoni i Kuq

Rigoni i kuq është me famë si rigoni më i rrallë dhe me aftësi të mrekullueshme. Karakteristika e veçantë e tij është se kur bie në kontakt me ujin e nxehtë, aroma që lëshon është unike dhe nuk ka të krahasuar me rigonin e zakonshëm.

Studimet kanë treguar që në një gram rigon gjenden 42 herë më shumë antioksidantë se në një gram mollë, 30 herë më shumë antioksidantë se në një gram patate, 12 herë më shumë se në një gram portokalle dhe 4 herë më shumë se boronicat.

Të dy varietetet e rigonit janë të pasur me hekur, mangan dhe minerale të tjera të rëndësishme për shëndetin e njeriut.

Çaji i rigonit ose çaji alpin ndihmon kundër të ftohtit, virozës, temperaturës, mungesës së tretjes, problemeve në stomak.

Sherebela

Në Shqipëri sherebela është një kulturë me shumë rëndësi.

Natyra na ka bekuar me këtë bimë medicinale endemike, duke e pasur me bollëk kryesisht në zonën e Malësisë së Madhe, aq sa dhe e eksportojmë në shumë vende të botës.

Çaji i sherebelës është për këtë arsye një burim i fuqishëm me antioksidantë, që sipas burimeve AgroWeb.org ndihmon për t’i mbajtur larg efektet shkatërruese të radikaleve të lira.

Përbërësit fenolikë të sherebelës sigurojnë vlera antioksidante, të cilat mbrojnë ADN-në nga dëmtimet.

Efektet antioksiduese të çajit të sherebelës përmirësojnë funksionet jetësore të mëlçisë. Çaji i sherebelës ndihmon në reduktimin e ankthit dhe në përmirësimin e humorit.

Çaji i sherebelës është shumë i mirë për uljen e temperaturës dhe të ftohtët, për zbutjen e acarimit të fytit, dhimbjen e kokës si dhe për problemet e tretjes.

Përgatitja e çajit magjik të ngrohtë ose të ftohtë

Përgatitja e këtij çaji kërkon përdorimin e luleve, kërcenjve dhe gjetheve të plota të të gjithë bimës.

Ju nevojiten 2-3 kercenj të shkurtër të çajit të malit nga rreth 3-4 cm, 5-6 gjethe sherebele dhe gjysmë luge rigon të kuq pluhur, ose 5-6 gjethe të thara të bimës.

Hidhini në ujë të nxehtë duke mundësuar zierjen e lëngut për pesë deri në 10 minuta.

Shija e këtij çaji është tokësore, por nëse përdorni lulet, do të ndjeni edhe aromën e tyre.

Këtij çaji mund t’i shtoni mjaltë, qumësht ose limon sipas dëshirës./AgroWeb.org