Kombinimi i Shegëve me Boronicat – Cilat Probleme Shmang në Organizëm

3.3k 0

Shegët shqiptare dhe frutat vendase të pyllit janë një zgjedhje e shkëlqyer për organizmin.

Kjo vlen për vetë faktin se këto fruta të tokave shqiptare janë natyralisht të pasura me sheqerna natyralë, vitamina dhe minerale.

Shegët dhe boronicat në veçanti përmbajnë fitoushqyes siç janë polifenolët, flavonolët dhe anthocianinë, të cilat janë antioksidantë të fuqishëm.

Këta të fundit shfarosin radikalet e lira të cilat sulmojnë qelizat dhe çelin rrugën shfaqjes së sëmundjeve të rrezikshme kronike.

Shegët dhe boronicat janë plot me vitamina, por kjo nuk është e vetmja arsye përse të dyja mund të përgatiten si lëng. E mira e të mirave është se shija e këtyre frutave përputhet dhe intensifikohet ndjeshëm.

Një racion me lëng 100 përqind boronice dhe shege është e barazvlefshme me pesë racione në ditë me fruta dhe perime.

Për fat të mirë ky lëng mund të përgatitet shumë lehtë në shtëpi dhe në këtë mënyrë ju do të keni plotësuar nevojën ditore për fruta dhe perime.

Kjo nuk është e vetmja arsye përse ju duhet ta konsumoni këtë lëng. Ekspertët e AgroWeb.org shpjegojnë se ky lëng është i shumë pasur me vlera shëndetsore.

Ushqyesit

Lëngu i shegës dhe boronicës është një burim i shkëlqyer antioksidantësh, vitamine C dhe K.

Lëngu i shegës është një burim i mirë i acidit folik dhe bakrit ndërsa lëngu i boronicës është një burim i mirë i manganit.

Kombinimi i këtyre dy lëngjeve sjell shumë përfitime në një gotë.

Megjithatë, duhet të dini që shumica e lëngjeve të frutave që blini në treg kanë lëng molle ose rrushi shtesë që synon të zbusë aromën e fortë dhe karakteristike.

Shtesa të tilla minimizojnë nivelet e vitaminave në përmbajtje të lëngut përveç vitaminës C.

Përfitimet

Antioksidantët në këtë lëng përmirësojnë kujtesën, luftojnë sëmundjet e zemrës, ulin kolesterolin dhe shmangin disa lloje problemesh tumorale.

Një studim tregoi se njerëzit që pinin lëng boronice ishin ndjeshëm më të mirë në ushtrimet që masin nivelin e kujtesës apo të të mësuarit.

Ekspertët e AgroWeb.org shprehen se lëngu i shegës arrijnë të përmirësojë profilin e lipideve dhe të ulë kolesterolin.

Ndërkohë studimet e tjera kanë treguar se boronicat janë të pasura me përbërës që luftojnë radikalet e lira dhe parandalojnë sëmundjet e zemrës.

Si të bëni lëngun e boronicave dhe shegës në shtëpi

Përbërësit

2 gota me kokrra shege

1 gotë me boronica

Udhëzimet

Shtrydhini kokrrat sipas renditjes së mësipërme. Përziejeni lëngun dhe konsumojeni menjëherë. Me këtë sasi frutash përfitohen 1-2 gota lëng.

Në rastin e shegëve, pastrojini kokrrat nga shtresa e bardhë e cila e bën shijen më të hidhur.

Për ta hapur shegën çajeni atë në pjesën fundore dhe në pjesën e sipërme.

Më pas bëni 6 prerje të vogla dhe hapeni frutin me duar.

Përdorni doreza dhe përparëse sepse lëngu i shegës lë njolla. Për të shmangur këtë, ju mund ta hapni shegën edhe në një tas me ujë.

Kokrrat do të bien në fund, ndërsa shtresa e bardhë do të ngrihet në sipërfaqe. Kullojeni ujin dhe shtrydhini kokrrat./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.