Arritje shumë e rëndësishme në punën për Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa me dorëzimin e studimit të fizibilitetit nga ekipi i ekspertëve

538 0

Me paraqitjen pranë Qeverisë Shqiptare të vizionit, strategjisë dhe studimit të fizibilitetit nga ekipi i ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, që punojnë për krijimin e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, është hedhur një hap shumë i rëndësishëm drejt mbrojtjes së Lumit Vjosa në Shqipëri, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës.

Në këtë dokument parashtrohet propozimi teknik për mbrojtjen e përhershme të Lumit Vjosa dhe degëve të tij me rrjedhje të lirë, sipas standardeve të nivelit të Kategorisë II të IUCN-së. Pas prezantimit të tij po vijohet, për një periudhë njëmujore, me konsultime me publikun, ndërkohë që Faza I e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa pritet të shpallet në pranverën e vitit 2023.

Studimi i fizibilitetit është rezultat i gjashtë muajve punë intensive në terren dhe analizave të thelluara që ka bërë një ekip prej më shumë se 30 ekspertësh në fusha të ndryshme, të tilla si: eko-turizmi, gjeomorfologjia, ekologjia, planifikimi dhe menaxhimi i zonave të mbrojtura, financimi i qëndrueshëm i parqeve kombëtare, legjislacioni dhe vlerësimi i ndikimit në shoqëri dhe mjedis. Në studim janë përfshirë gjithashtu konsultimi me grupet e interesit, si dhe komunikimi me publikun. Ekipi iekspertëve të angazhuar përbëhet nga koordinatorë vendas dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të IUCN-së, të kompanisë amerikane Patagonia, si dhe të OJQ-së EcoAlbania.

Dokumenti fokusohet në mbrojtjen afatgjatë të ekosistemit dhe biodiversitetit të basenit të Vjosës nëpërmjet analizave, rekomandimeve dhe propozimeve të modeleve për të mundësuar menaxhimin mjedisor, si dhe zhvillimin e “turizmit të gjelbër” dhe formave të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë në territoret përgjatë Vjosës dhe degëve të saj.

Ekspertët kanë dokumentuar një propozim teknik për shpalljen e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, i cili do të zbatohet në dy faza. Në Fazën I do të përfshihen kanali aktiv i lumit, si dhe disa terrene dhe bimësi lumore brenda kanalit aktiv, të rrezikuara nga përmbytjet ose erozioni, që shtrihen në një gjatësi të përgjithshme prej mbi 400 km. Në Fazën II do të shtohen territoret që përmbyten çdo 30 deri në 50 vjet, si dhe disa toka private, pas konsultimit me palët e përfshira.

Në këtë propozim prezantohet krijimi i një koncepti për strukturën e menaxhimit të Parkut, me qëllim që të shërbejë si model edhe për parqet e tjera kombëtare në Shqipëri dhe krijimin e një modeli të ri të mbrojtjes së lumenjve në nivel global. Në këtë propozim përfshihet përcaktimi i kufijve për Fazën I të shpalljes së Parkut Kombëtar dhe vizioni për zgjerimin e tij në Fazën II.

Si hap tjetër, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM), nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, do të kryejë një seri konsultimesh me publikun në të 12 bashkitë ku shtrihen Vjosa dhe degët e saj me rrjedhje të lirë, përfshirë Vlorën, Tepelenën dhe Gjirokastrën. Për studimin mbështetës dhe propozimin për Fazën I të shpalljes së Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa do të zhvillohen konsultime paralelisht me ministritë dhe agjencitë që kryejnë veprimtari lidhur me këtë fushë. Pas këtyre konsultimeve zyrtare, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të paraqesë në Këshillin e Ministrave një propozim të detajuar për Fazën I për miratim përfundimtar. Propozimi i  Fazës I të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, sipas standardit të nivelit të Kategorisë II të IUCN-së, pritet të shpallet në pranverën e vitit 2023.

Rreth Lumit Vjosa në Shqipëri

Lumi Vjosa në Shqipëri është një nga lumenjtë e fundit të mëdhenj të egër në Evropë. Lumi dhe degët e tij rrjedhin lirisht nga malet e Greqisë deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri. Kjo zonë me natyrë të egër përbëhet nga një mozaik gjigant i llojeve të ndryshme të habitateve, që nga grykat e ngushta në pjesën e sipërme, në pjesët e gjera lumore të gërshetuara në pjesën e mesme, deri te delta pothuajse natyrale në Detin Adriatik. Vetëm pjesa e mesme përbëhet nga të paktën tetë lloje habitatesh, që janë me rëndësi shumë të madhe për ruajtjen, në nivelin e Bashkimit Evropian.

 

Pellgu ujëmbledhës përreth u siguron fshatrave tokë pjellore për veprimtari bujqësore, të tilla si: prodhimi bujqësor dhe blegtoria. Sasia dhe shumëllojshmëria e peshqve janë jetësore për mirëqenien e peshkatarëve vendas, kryesisht në pjesën e poshtme të Vjosës. Ekoturizmi në Vjosë dhe degët e saj ka shënuar rritje të vazhdueshme, veçanërisht vitet e fundit, ndërsa të apasionuarit kanë filluar të shijojnë veprimtari të tilla si: rafting, kanoe, kajak dhe not.

Rreth Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa

Në qershor 2022, Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Drejtori Ekzekutiv i kompanisë amerikane Patagonia, Ryan Gellert nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në të cilin deklarohet se Qeveria Shqiptare dhe Patagonia do të punojnë së bashku për ngritjen e nivelit të mbrojtjes së pellgut dhe ekosistemit lumor të Lumit Vjosa dhe degëve të tij me rrjedhje të lirë, në nivelin e Kategorisë II të IUCN-së Park Kombëtar.

Të përfshirë në këtë proces janë OJQ shqiptare dhe ndërkombëtare nga fushata “Save the Blue Heart of Europe”, përfshirë EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur.

Ky është një hap shumë i madh drejt krijimit të të parit Park Kombëtar të një Lumi të Egër të Evropës dhe mbrojtjes për gjithmonë të njërit prej lumenjve të fundit të patrazuar në Evropë, Vjosës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.