Duhani dhe produktet që përmbajnë nikotinë nuk duhet të jenë të disponueshme për të miturit dhe shtetet duhet të ndërmarrin masa që të ndalojnë shitjen e këtyre produkteve. Por, kur bëhet fjalë për duhanpirësit e rritur, ndalimi i produkteve alternative, nuk do i ndihmonte ata që të bëjnë zgjedhje më të mira për veten, përkundrazi do i nxiste për t’ju kthyer vesit të duhanpirjes.
Ky ka qenë mesazhi i panelit me ekspertë të fushave të ndryshme në kuadër të një diskutimi dedikuar ndalimit të duhanit dhe produkteve të nikotinës.
Në Forumin e 11-të Global, në Varshavë ku kryefjalë ishte nikotina, spikati qëndrimi i gazetarit dhe autorit britanik, Harry Shapiro.
“Alternativat pa tym do të jenë gjithnjë prezente, pavarësisht seç ndodh në kuadrin ligjor. Që do të thotë, edhe nëse këto produkte janë të ligjshme apo jo në një vend të caktuar, kjo nuk i eleminon ato.“- u shpreh Shapiro.
Australia është shembulli më praktik kur flasim për ndalimin e produkteve, ku provohet se kufizimi nxit parregullësi.
Themeluesja dhe udhëheqësja e Partisë ’Reason Australia’ dhe ish-anëtare e Këshillit Legjislativ të shtetit federal të Viktorias, Fiona Patten, veçon Australinë si shembull të një vendi ku qasjet kufizuese nxisin dhunë.
“Në qytetin tim të lindjes, Melburn, kemi pasur 80 incidente ku janë hedhur lëndë plasëse në dyqanet që shesin cigare dhe vape. Një paketë me 20 cigare kushton rreth 30 euro në Australi, nga të cilat 90-95% shkojnë në taksa, gjë që rezulton në rritjen e shpejtë të tregut të zi të duhanit. Ju me të drejtë mund të thoni se një mënyrë e shkëlqyeshme për të thyer tregun e ligjshëm dhe të paligjshëm të cigareve do të ishte kalimi në alternativa, por sigurisht, nuk është ajo çfarë ne bëmë.
Ne shkuam një hap më tej dhe ndaluam cigaret elektronike, kështu u bëmë dëshmitarë të rritjes së tregut të paligjshëm të cigareve elektronike. Ju nuk mund të blini cigare elektronike në Australi, me përjashtim të rasteve kur keni një recetë, por tregu i paligjshëm për këto produkte ngelet i madh. Kontrabanda e këtyre produkteve konsiderohet kundërvajtje tatimore, por jo vepër penale, ndaj rreziku i importit të paligjshëm të cigareve elektronike në fakt është i ulët. Është një produkt i lirë, kështu që nëse policia ju kap dhe ju konfiskon këto produkte, nuk humbisni shumë, por nga ana tjetër, mund të bëni para nëse nuk ju kapin. Pra ne po evidentojmë në Australi lulëzimin e kontrabandës në terren, ndërsa sa u takon të miturve, nuk ka fëmijë në Australi që mund të blejë lehtësisht një vape.“- thekson Patten.
Drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Konsumatorit të Aleancës për Mbrojtjen e Tatimpaguesve në SHBA, Lindsey Stroud sjell një pikëpamje tjetër. Sipas saj, ndalimi i produkteve alternative sjell rritje të ndjeshme të konsumit të duhanit.
“Ne e kemi parë këtë në Massachusetts, në Kaliforni… Është sikur të kemi humbur plotësisht nga qëllimi kryesor që është reduktimi i dëmit. Duke qenë të fokusuar të ndalimi i cigareve elektronike, nuk vërejmë sesi normat e konsumit të duhanit rriten fill pas kësaj.“- thekson Stroud.
Një treg i parregulluar kërcënon shëndetin publik
Malajzia është shembulli se si mungesa e një rregulli në fushën e duhanit dhe produkteve të nikotinës, mund të rrezikojë shëndetin publik. Nëse do i referohemi ligjit të duhanit në vitin 2013, Majlajzia lejoi shitjen e cigareve elektronike shoqëruar me masa strikte. Çfarë përfshinin këto masa?
Produktet alternative nuk mund të reklamoheshin, as të promovoheshin nga ku, sipas Prof. Dr Sharifa Ezant Van Puteh, lind një pjesë e problemit.
“Për shkak të mungesës së rregullimit dhe standardizimit të mëtejshëm, ne jemi dëshmitarë të rritjes së tregut të zi, jo vetëm për duhanin por edhe për cigaret elektronike. Sepse shikoni çfarë ndodh, t’i thuash një duhanpirësi të rritur që është më mirë për ta të kalojnë në produkte alternative, por gjithashtu duhet t’i thuash se duhet të jetë i kujdesshëm pasi jo të gjitha kontrollohen apo verifikohen, shto këtu që informacioni për këto produkte mungon, kjo shkakton konfuzion për përdoruesin.
Mungesa e fushatave të komunikimit për produktet me risk të reduktuar krijon një rritje të numrit të personave që vijnë në urgjencë për shkak të problemeve me mushkëritë, nga çfarë raportojnë mediat. Për këto raste, ne nuk kemi përgjigje për disa pyetje thelbësore, se cilat cigare elektronike përdornin këta persona, cila është cilësia e tyre, nëse u është shtuar më pas nikotina dhe në çfarë sasie… Për këtë, krijohet përshtypja e përgjithshme se këto produkte janë një gjë e keqe që nuk duhet përdorur, gjë që çon në një perceptim të gabuar për të gjithë.“- thotë eksperti mjekësor.
Suedia dhe Japonia, shembuj suksesi
Si shembuj pozitiv kur flasim për reduktimin e dëmit, mund të përmendim Suedinë dhe Japoninë, shprehet Shapiro.
“Shembulli suedez në uljen e prevalencës së pirjes së duhanit është i njohur për pothuajse të gjithë. Ndërkohë në Japoni shitjet e cigareve janë ulur me rreth 50% në vitet e fundit, që është ndoshta rënia më e madhe në shitjet e cigareve kudo në botë.
Kjo është përkthyer në rritje të përdorimit të produkteve të duhanit me ngrohje. Shteti nuk ka ndërhyrë këtu, me sa di unë, por i ka lënë konsumatorëve mundësinë që të zgjedhin. Për shembull, në Japoni ekziston një grup njerëzish që nuk duan të shqetësojnë të tjerët me tymin e duhanit.“- thekson Shapiro.
Këndvështrimi mbi cigaret elektronike
Në vijmësi të diskutimeve për vape për ndikimet në mjedis si dhe ndalimit të shijeve të ndryshme për shkak të konsumit nga të rinjtë, Fiona Patten ka një tjetër pikëpamje për zgjidhjen. Sipas saj, zgjidhja qëndron në rregullimin e tregut, jo të ndalimi i këtyre produkteve.
“Unë nuk jam dakord me ndalimin, mendoj se ka mënyra për të adresuar disa nga problemet me produktet alternative, nisur nga aksesi për të rinjtë. Ju mund t’i shmangni apo t’i ricikloni këto produkte vetëm me një treg të rregulluar. Janë pikërisht këto produkte që mua personalisht më ndihmuan të lë duhanin dhe mendoj se mund të jetë zgjidhja për shumë duhanpirës të tjerë. Të njëjtën gjë mendoj dhe për ndalimin e shijeve të ndryshme të këtyre produkteve. Nëse keni një treg të rregulluar, ku produkti u shitet vetëm duhanpirësve të rritur, ateherë të rriturit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin shijen dhe falë kësaj është më e lehtë për ta që të lënë cigaren, kjo pasi në shitja në tregun e zi ju kufizon të kontrollohen.
Me një treg të parregulluar, ne e kemi bërë më të lehtë aksesin e fëmijëve në këtë produkt, kështu që tani ekziston një perceptim i gabuar se industria e duhanit po përpiqet t’u shesë fëmijëve cigare elektronike, gjë që absolutisht nuk qëndron.“- përfundon Patten.
Lini një Përgjigje