Bajamet e Egra të Shqipërisë – Fuqitë Natyrale Kundër Diabetit dhe Mbipeshës

2.6k 0

Bajamet janë ndër arrorët më popullorë në vendin tonë dhe në mbarë botën. Por varieteti i egër i bajameve është mjaft i kërkuar për shkak të aftësive të mrekullueshme medicinale që ofron.

Bajamet e ëmbla prodhohen nga një pemë specifike bajamesh (Prunus amygdalus var. dulcis) dhe nuk përmbajnë toksina.

Bajamet e hidhura, ato të egrat, vijnë nga një pemë krejt tjetër (Prunus amygdalus var. amara) që kanë përbërës në disa raste edhe toksikë.

Në disa raste, njerëzit i përdorin bajamet e hidhura për arsye mjekësore dhe për të trajtuar kontraktimet, dhimbjet, kollën dhe kruarjet.

Në Shqipëri, gjenden shumë bajame të egra që rriten lirshëm në mjedisin e tyre natyror.

Bajamet e egra janë mjaft popullore në Berat dhe në zonat përreth. Në disa dyqane, kokrrat e bajameve të egra shiten me një çmim prej 3500 Lek/kg ndërsa çmimi i bajames së zakonshme është 1800 Lek/kg.

Studiuesit kanë zbuluar se disa substanca esenciale të bajames së egër mund të përdoren si armë të forta në betejën kundër mbipeshës dhe diabetit.

Disa studime tregojnë që fruti i bajames së egër ka aftësinë dhe fuqinë për të ndikuar tek disa mikroorganizma që ndodhen në stomak dhe ndikon për të stabilizuar metabolizmin.

Ekspertët rekomandojnë që fëmijët të konsumojnë 1-2 kokrra bajame të egra në ditë, ndërsa për të rriturit rekomandohen nga 2 bajame të egra tre herë në ditë.

Çdo sasi tjetër nuk është e rekomandueshme, për shkak të nivelit toksik të bajames së egër.

Cili është ndryshimi mes vajit të bajames së ëmbël dhe atij të bajames së hidhur?


Më poshtë AgroWeb.org rendit ndryshimin mes të dy vajrave.

Nga bajamet mund të përftojmë dy lloje vajrash: vajin e bajames së ëmbël dhe vajin e bajames së hidhur, të prodhuara nga dy pemë të ndryshme.

Pema e bajames së ëmbël zakonisht ka lule të bardha ndërsa pema e bajames së hidhur ka lule ngjyrë rozë.

Të dyja pemët rriten në lartësi nga 4 deri në 10 metra.

Bajamja e ëmbël përdoret edhe në kuzhinë në receta të ndryshme. Ajo prodhon një qumësht të ngjashëm me atë të sojës, që sugjerohet për njerëzit që nuk e tolerojnë laktozën ose janë vegjetarianë.

Mielli i bajames nuk përmban gluten dhe karbohidrate ndaj rrjedhimisht rekomandohet për njerëzit që kanë kërkesa specifike ushqimore.

Bajamja e hidhur është përdorur historikisht në sasi më të vogla për aromë dhe shije të disa produkteve siç janë shurupi i bajames dhe biskotat italiane.

Të dy vajrat kanë ndikime të ndryshme në lëkurën e njeriut. Vaji i bajames së ëmbël është një hidratues i shkëlqyeshëm sidomos për lëkurat e thata dhe ato të ndjeshme.

Ai është i pasur me proteina, vitamina dhe minerale që e gjallërojnë lëkurën në maksimum.

Vaji i bajames së hidhur është vaj esencial. Ai nuk duhet përdorur në kujdesin për lëkurën. Ky vaj përdoret kryesisht si aromatik.

Bajamet e egra mund të gjenden në pikat e tregtimit të bimëve mjekësore dhe në dyqanet organike, ndërsa vajrat esenciale të bajames gjenden në farmaci./AgroWeb.org