7 Rreziqet e Ëmbëlsuesve Artificialë në Shëndet

808 0

Ëmbëlsira apo kalori?

Dilema e një jete të tërë për ata që janë të kujdesshëm me peshën, por edhe për shëndetin e mirë. Zgjidhjen shpesh e shohim tek ëmbëlsuesit artificialë të cilët supozohet të na japin të gjithë vlerat e sheqerit, pa dëmet anësore.

Ëmbëlsuesit artificialë kanë qenë në qendër të debateve që prej vitit 1878 kur sakarina, ëmbëlsuesi i parë pa kalori u zbulua për herë të parë. Që atëherë, nismëtarët e shëndetit të mirë kishin dyshime nëse këto ëmbëlsues të krijuar në laborator ishin të sigurt për konsumatorin, sidomos pas lajmit se sakarina u zbulua nga një kimist, i cili po punonte me katran, një lëndë kancerogjene.

150 vjet më vonë dhe pas një sërë studimesh konfliktuale, çështja e sigurisë së këtyre ëmbëlsuesve është akoma e nxehtë. Administrata Evropiane për Sigurinë Ushqimore deklaroi në vitin 2013 se ëmbëlsuesit janë të sigurt nëse konsumimi i tyre mbetet në nivelet e kontrollueshme. Por Grupi për Shkencat dhe Interesin Publik e përçmoi vendimin dhe e quajti “një broçkull të vërtetë.”

Të ëmbëlsohesh apo të mos ëmbëlsohesh? Kjo është çështja. Nëse dëshironi të humbisni në peshë, atëherë këto sheqerna artificialë ju ndihmojnë të ulni kaloritë. Por, si në çdo shpikje të industrisë ushqimore, ëmbëlsuesit artificialë janë në fakt dyfytyrësh. Po të lëmë mënjanë shqetësimet për kancerin, studiuesit po zbulojnë dita ditës rreziqet shëndetësore që shkaktojnë këto substanca, përfshirë këtu edhe shkeljen e premtimit për rënie në peshë.

1. Manipulojnë shqisën e shijes

Ëmbëlsuesit artificialë vijnë nga një barishte që është mijëra herë më e ëmbël se sheqeri. Sukraloza është 600 herë më e ëmbël se sheqeri, ndërsa neotamea është 7000 herë më e ëmbël se sheqeri që përdorim në tryezë. Stevia është 200 ose 300 herë më e ëmbël se sheqeri. Studimet kanë treguar që shqisat e shijes janë të ekspozuara ndaj një ëmbëlsie të një niveli jashtëzakonisht të lartë dhe i bën ato të mpira në krahasim me burimet natyrale të sheqerit siç janë frutat. Kur shqisat tona trullosen është e sigurt që do të vazhdojmë të kërkojmë produkte të ëmbla pa fund.

2. Manipulojnë stomakun

Stomaku shpërqendrohet kur ju hani ushqime shumë të ëmbla, por pa kalori. Shqisat e shijes i dërgojnë sinjale stomakut që diçka me shumë kalori po zbret, stomaku pregatitet por kur një ushqim nuk ka kalori atëherë çorientohet dhe nuk e përdor ushqimin siç duhet duke shkaktuar një çrregullim në sinjalet e urisë.

3. Shkatërrojnë hormonet

Pjesë e çrregullimit është edhe hormoni i insulinës. Kur ju shijoni ushqime të ëmbla edhe nëse nuk kanë kalori, trupi vazhdon të çlirojë insulinë, njësoj sikur të keni ngrënë sheqer. Insulina rrit nivelet e sheqerit dhe si rrjedhojë trupi kërkon më shumë ushqim. Studimet kanë treguar që ëmbëlsuesit artificialë parandalojnë trupin të prodhojë një hormon që mban nën kontroll nivelet e sheqerit dhe ngopjen. Duke qenë se ky hormon nuk prodhohet, ju do të jeni gjithmonë e më të uritur dhe do të hani më shumë se ç’duhet.

4. Rrisin dëshirën për të ngrënë

Ushqimet e pasuruara me ëmbëlsues artificialë mund të manipulojnë organizmin dhe ta bëjnë të kërkojë më shumë ushqim. Kjo taktitë nis të zbatohet që në gojë, sapo ky produkt bie në kontakt me qiellzën. Shija dhe ndjesia e ushqimit në gojë, ndikon në aftësinë tonë për të barazuar nevojën për kalori me dozën e kalorive të marra, thonë studiuesit. Yndyrnat e larta dhe sheqeri japin sinjale ne tru sikur janë ushqime me kalori, kur në fakt nuk janë. Niveli i kënaqësisë së marrë nga një ushqim i tillë është i vogël, trupi nuk ngopet dhe kërkon më shumë .

5. Rrisin rrezikun e diabetit

Studiues të shumtë kanë treguar që njerëzit që pinë pije të gazuara janë të ekspozuar ndaj diabetit të tipit 2. Shkencëtarët janë të mendimit që shkatërrimi i hormoneve dhe prishja e frekuencave të shijes dhe ushqimit që shkaktojnë këto ëmbëlsues artificialë janë faktorët kryesorë që çojnë në formimin e këtyre sëmundjeve.

6. Ndosin ujin

Ëmbëlsuesit artificialë janë të fuqishëm dhe nuk shpërbëhen kur ekspozohen në dritë, oksigjen apo ndaj mikrobeve. Sipas një studimi të vitit 2009, shkencëtarët suedezë zbuluan që këto ëmbëlsues nuk arrinin të shpërbëheshin në lumë edhe pasi kishin qëndruar për plot 7 orë. Katër vjet më vonë nga këto gjetje, studiuesit Kanadezë arritën në të njëjtin rezultat dhe në lumenj gjetën gjurmë të dëmshme sukraloze dhe acesulfati që kishin ndotur ujërat.

7. Janë artificialë

Nëse gjashtë arsyet e mësipërme nuk mjaftojnë, atëherë duhet të dini që ëmbëlsuesit janë një burim i ushqimeve artificiale që mund të përfundojnë në tryezë. Ëmbëlsues të tillë mund të përgatiten nga misri, soja ose panxhari i ëmbël, dhe shumica e këtyre rrënjëve janë ndryshuar t’i rezistojnë pesticideve të dëmshme./AgroWeb.org