Frutat dhe Perimet që ju Ndihmojnë Kundër Gripit dhe të Ftohtit

1.2k 0

Dimri është edhe stina e virozave. Kjo stinë mund të jetë e ashpër ndaj organizmit. Sado të përpiqesh ta shmangësh, gripi dhe i ftohti duket se e gjejnë gjithnjë rrugën për të të kapluar. Megjithatë, ekspertët janë të mendimit se të ngrënit shëndetshëm është një vlerë e shtuar në përpjekjet për t’i shpëtuar gripit dhe të ftohtit këtë dimër.

Në vend që të merrni suplementë, mjekët sugjerojnë të shtoni dozat e ushqyesve dhe vitaminave nëse dëshironi të qëndroni të shëndetshëm. Konsumimi i frutave dhe perimeve është gjithnjë një ide e mirë. Synoni gjithmonë frutat dhe perimet me ngjyrë të errët sepse janë të pasura me antioksidantë që luajnë një rol të rëndësishëm kundër infeksioneve.

Frutat dhe perimet përmbajnë plot vitamina dhe minerale të cilat bashkojnë forcat dhe mbajnë funksionet e trupit në nivelet më të mira. Lexoni më poshtë sugjerimet e AgroWeb.org se si të ushqeheni shëndetshëm dhe t’i qëndroni larg gripit dhe të ftohtit.

Perimet

Ekspertët sugjerojnë që vitaminën C ta merrni nga ushqimet e shëndetshme që në një mënyrë ose në një tjetër na nevojiten të gjithëve. Pesë perimet e pasura me vitaminë C janë:

  1. Specat e kuq (racioni i rekomanduar është gjysmë filxhani me speca të freskët e të prerë)
  2. Specat jeshilë (racioni i rekomanduar është gjysmë filxhani me speca të freskët e të prerë)
  3. Brokoli (racioni i rekomanduar është gjysmë filxhani brokoli të gatuar)
  4. Lakër e vogël (racioni i rekomanduar është gjysmë filxhani lakër brukseli të gatuar)
  5. Kale ose sallata të gjelbra (racioni i rekomanduar është një filxhan)

Fruta

Portokallet dhe lëngjet 100% të portokallit janë burime të mira të vitaminës C. Ndonëse ato nuk munden të parandalojnë të ftohtin, arrijnë të shkurtojnë kohën e sëmundjes. Disa prej frutave të pasura me vitamina janë:

  1. Qitro
  2. Luleshtrydhe
  3. Kivi

Mjekët sugjerojnë edhe vitaminën D të cilën mund ta marrim nga rrezet e diellit. Kjo vitamina rregullon sistemin imunitar. Ekspertët rekomandojnë të konsumoni vezë, kërpudha dhe peshk siç janë sardelet, toni apo salmoni.

Zinku

Specialistët rekomandojnë të konsumoni ushqime me zink, një mineral që mbështet funksionet e sistemit imunitar. Disa prej ushqimeve të pasura me zink janë mishi i viçit dhe drithërat e pasuruara.

Ushqimet që forcojnë imunitetin

Përveç frutave dhe perimeve, ekspertët rekomandojnë tërshërën dhe hudhrën që luftojnë mikrobet, kosin që përmban probiotikë e që forcon sistemin. Të gjitha këto ushqime forcojnë sistemin imunitar. Për më tepër ekspertët sugjerojnë edhe çajin e zi me uthull molle të ngrohtë.

Për katër racione sugjerohen përbërësit e mëposhtëm:

  • 2 bustina me çaj të zi
  • 2 filxhanë me ujë të nxehtë
  • 1 gotë me uthull molle
  • Çerek gote me 100% lëng shege
  • 1 portokall të prerë në feta
  • Kokrra shege (jo detyrimisht)

Udhëzimet

Vendosini bustinat e çajit në ujë për pesë minuta. Më pas zijeni ujin ngadalë duke shtuar të gjithë përbërësit e tjerë për gjysmë ore ose një orë. Më pas lëngun kullojeni dhe shërbejeni në filxhanë ku keni hedhur kokrrat e shegës./AgroWeb.org