Kura e Çajit të Piperit Me Mjaltë Për Shëndetin

1.2k 1

AgroWeb ju fton t’i hidhni një sy të imët erëzës më të shitur në botë: piperit.

Pavarësisht ndryshimit në pamje të parë, piperi i zi dhe ai i bardhë vijnë nga e njëjta bimë, emri shkencor i të cilës është Piper nigrum.

Piperi prodhohet nëpërmjet metodave të ndryshme. Ajo më bazikja përfshin larjen e frutave të papjekura të bimës në ujë të nxehtë.

Këto kokrra të vogla zihen dhe nisin kështu procesin e nxirjes duke humbur ngjyrën e tyre të gjelbër dhe duke fituar atë të zezë.

Tharja e kokrrave të vogla të piperit bëhet në diell ose në makineri specifike.

Ky proces zgjat për disa ditë. Kokrrat e njoma forcohen, rrudhen dhe kthehen në kokrrat e zeza të piperit që ne përdorim.

Kokrrat e piperit mund të bluhen, grihen ose përdoren të plota. Metoda e përpunimit të piperit të bardhë kërkon disa hapa shtesë në krahasim me piperin e zi.

Kokrrat e bimës kësaj here janë të pjekura në ngjyrë të kuqe. Ato zhyten në ujë për disa ditë me rradhë deri sa të zbuten plotësisht e prej tyre të mbetet vetëm fara.

Disa prodhues të piperit përdorin kimikate për heqjen e lëkurës së kokrrave të njoma të piperit. Farat e bardha thahen dhe formojnë atë që ne njohim si piperi i bardhë.

Ajo që duhet të dini është se bashkë me lëkurën, piperi humbet disa prej aromave thelbësore të tij.

Megjithatë, piperi i bardhë kombinohet mjaft mirë me gatimet me ngjyrë të çelët dhe nuk e shkatërron ngjyrën e tyre.

Shumë kuzhinierë e përdorin piperin e bardhë në salca të bardha ose në gatimet e mishit. Megjithatë, piperit të zi nuk ia kalon askush.

Ka një epërsi të ndjeshme, aromë më të fortë e më të ndezur se piperi i bardhë.

Të dy llojet e piperit gjenden në çdo cep të Shqipërisë, por piperi i bardhë kushton më shumë se i ziu, për shkak të kostove të larta të prodhimit.

Kura e Çajit të Piperit me Mjaltë

Për shekuj me radhë, piperi i zi dhe llojet e tjera të piperit janë përdorur në mjekësinë tradicionale për reduktimin qelizave të dëmshme, rritur qarkullimin e gjakut, uljen e dhimbjeve të kyçeve dhe lehtësimin e sinozitit. Një përdorim shumë i përhapur është çaji me piper të zi, por që mund të përgatitet me çdo lloj piperi.

  • 2 gota ujë
  • 1 lugë çaji piper i zi i sapobluar
  • 1 lugë gjelle mjaltë
  • 1 lugë gjelle lëng limon të saposhtrydhur

Vini ujin të arrijë të vlojë. Shtoni piperin e bluar dhe lëreni të ziejë për 3-4 minuta. Më pas hiqeni nga zjarri, shtoni mjaltin dhe lëngun e limonit dhe lërini të ftohet.

Çaji juaj është gati dhe mund ta konsumoni të ngrohtë ose të ftohtë, një gotë në ditë do të mjaftojë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.