A do të ketë ndalim të plotë të qeseve?

579 0

Cilat qese do të ndalohen të prodhohen?

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha për ‘Monitor’ se nisma ligjore nuk merr përsipër të ndalojë gjithë plastikën, as të ndalojë të gjitha llojet e qeseve, por ndalon vetëm qeset plastike mbajtëse; qeset e lehta plastike mbajtëse; qeset shumë të lehta plastike mbajtëse dhe qese plastike mbajtëse oxo-degradueshme ose oxo-biodegradueshme. https://www.monitor.al/nisma-ligjore-nuk-do-te-ndaloje-te-gjitha-llojet-e-qeseve-2/

“Bizneset që operojnë në këtë fushë, nuk prodhojnë vetëm këto lloje qesesh, por një gamë shumë të gjerë produktesh plastike. Nisma ligjore është prezantuar që në vitin 2019, duke ndjekur të gjitha hallkat e informimit dhe konsultimit publik, gjë që u ka mundësuar bizneseve të përshtasin planet në bazë të kuadrit të ri”, thekson ministria.

Por, sipas kryetarit të Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës, Vullnet Haka, qeveria “po fshihet” pas diskutimit teknik që po heq nga përdorimi qeset njëpërdorimshme. Ndryshimet ligjore do të ndalojnë përdorimin e plotë të qeseve në Shqipëri. “Sot është në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, të miratuar në vitin 2018, për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme që konsiderohen qeset nën 35 mikronë.

Për ndalimin e tyre, edhe ne si grup interesi kemi dhënë dakordësinë. Për këtë ndryshim, fabrikat përshtatën industritë e tyre. Çfarë ndryshimi ligjor do të bëjë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për një produkt që është ndaluar që në 2018-n? Edhe nisma e miratuar në 2018 nuk po gjen zbatim, pasi duhen të ngarkohen me ligj institucionet monitoruese dhe gjobat të jenë proporcionale. Ministria publikisht shprehet se po ndalon prodhimin e qeseve njëpërdorimshme, ndërsa drafti synon të ndalojë përdorimin e plotë të qeseve plastike në Shqipëri.

Në relacionin e projektligjit thuhet se ndryshimet kërkojnë ndalimin e qeseve të ripërdorimshme, me trashësi mbi 35 micron/anë. Me këto përcaktime teknike konsiderojnë si qese të ripërdorueshme ato mbi 35 micron dhe mbi 50 micron/anë ato shumëpërdorimshe. Nuk jemi kundër kësaj, pavarësisht adoptimeve shtesë që do të na duhen të bëhen në makineri. Por me ndryshimet ligjore bëhet ndalimi e plotë i qeseve, si atyre shumë të lehta 15 micron/anë, të lehta 35 micron/anë dhe qeset e rënda mbi 50 micron/anë.

Në ndihmë të industrisë, Shqipëria nuk duhet të ndalojë përdorimin e qeseve mbi 50 micron”. Z. Haka veçon se nisma nuk është konsultuar nga MTM, me grupin e interesit, për adresimin e shqetësimeve të tyre. “Kur ne kërkuam konsultimin për draftin e paraqitur në vitin 2020, nga ish-ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, u tha që ky është vendim politik i mazhorancës dhe grupet e interesit të depozitojnë shqetësimet e tyre në komisionet parlamentare.

Pse nuk realizohet ndarja në burim e mbetjeve

Në Shqipëri, sipas INSTAT, shkalla e menaxhimit të mbetjeve është ulur 4%, ndërsa mbetjet e pamenaxhuara janë rritur 9%. Totali i mbetjeve të menaxhuara për banor në vitin 2020 është ulur 3% në raport me 2019-n.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në qëndrimin e saj, shprehet se projektligji për ndalimin e qeseve me doreza do të ulë nivelin e ndotjes, duke përmbushur objektivin e qeverisë për reduktimin e ambalazhimit plastik të përcaktuar në programin për vitet 2021-2025.

“Duke qenë se qeset plastike njëpërdorimshme nuk ripërdoren, nuk riciklohen apo rikuperohen, në këtë këndvështrim, ndërhyrja e qeverisë zbut efektet negative në mjedis dhe shëndetin e njeriut e të kafshëve, të cilat vijnë nga përdorimi pa kriter i plastikës, veçanërisht i qeseve plastike, duke nxitur njëkohësisht zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë”, nënvizon MTM.

Vullnet Haka, president i Shoqatës së Konvertuesve të Plastikës në Shqipëri, thekson se pasojat bazë nga ku niset MTM për ndryshimet ligjore rrjedhin nga mungesa e menaxhimit të integruar të mbetjeve me ndarje në burim. “Në Shqipëri nuk është problemi vetëm te qeset plastike, që janë më të dukshme se mbetjet e tjera, tek përrenjtë kur hidhen në rrugë të paligjshme. Shqetësimi për të gjitha produktet e mbetjeve vjen nga mosmenaxhimi me ndarje në burim.

Është detyra e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të hartojë ligjin dhe të monitorojë institucionet e tjera për zbatimin e tyre. Shqipëria, më parë, nuk investonte në menaxhimin e integruar të mbetjeve, sepse nuk kishte para. Kostoja për ndarjen e mbetjeve në burim, në nivele të pranueshme, llogaritej rreth 108 milionë euro. Papritur, në vitin 2015, qeveria investoi 430 mln euro në incenerim, për asgjësimin e mbetjeve dhe jo për ndarjen e tyre në burim. Tashmë qeverisë i duhet një show, apo lëvizje populiste për të thënë që për ndotjen e mjedisit, e kanë fajin qeset”, pohon Haka.

Sipas të dhënave të INSTAT rezulton se mbetjet e plastikës në totalin e mbetjeve që gjenerohen nga aktiviteti human dhe ekonomik zënë rreth 9% në 2019-n dhe 8,5% në 2020-n. Shoqata e Ricikluesve të Plastikës pohon se mbetjet që krijohen nga qeset plastike shumëpërdorimshe në raport me të gjitha mbetjet e tjera, përbëjnë 0.8-1% të totalit të mbetjeve të plastikës. Nisur nga pesha e ulët që zënë qeset shumëpërdormishme, Vullnet Haka shton se vendimi është përzgjedhës.

“Sipas statistikave publike e deklarimeve të vetë MTM-së, në të gjithë sipërfaqen e banuar të vendit, mbetjet mblidhen dhe transportohen në rreth 65% të territorit dhe depozitohen në 4 landfille sanitare që përmbushin kushtet bazë mjedisore. Pjesa tjetër e këtyre mbetjeve hidhet në rreth 208 vend-depozitime të paligjshme të krijuara nga qeverisja vendore, që nuk përmbushin asnjë kusht mjedisor.

Për më tepër, që janë të vendosur buzë përrenjve, lumenjve dhe minimalisht në dy vërshimet e ujërave nga reshjet e pranverës dhe vjeshtës, të gjitha mbetjet, përfshi edhe ato plastike, përfundojnë në bimësinë anash përrenjve, lumenjve apo në grykëderdhje e në det. Në këto kushte, kur pak a shumë rreth 50% e mbetjeve që krijohen në shkallë vendi nuk menaxhohen, por përfundojnë në territor, në peizazhe në sipërfaqet ujore e nënujore, të bësh një ndërhyrje ligjore selektive dhe kaq drastike, jo proporcionale me ndikimin që ato kanë në mjedis duket e pakuptimtë”, – pohon Haka./Burimi: Monitor