Kur arti bëhet urë lidhëse mes kulturave dhe qytetet kthehen në skena të hapura të krijimtarisë, lindin festivale që frymëzojnë, bashkojnë dhe transformojnë. Cloud Fest, ose ndryshe Festivali i Resë, për të nëntin vit me radhë mbledh artistë nga e gjithë bota në Tiranë. Si çdo vit, Cloud Fest premton përzierjen më të mirë multikulturore, ku ndërthuret arti bashkëkohor me tradicionalin. REJA dhe lulishtja përreth do të jenë hapësirat për teatër fizik, eksperienca audio-vizuale, koncerte, performanca, bashkëbisedime me artistë, kurse kërcimi dhe lojëra urbane. REJA – si një vepër arti dhe jo një hapësirë e mirëfilltë shfaqjesh – bën që ndërhyrjet artistike në të të krijojnë gjithmonë surpriza dhe eksperienca të reja, si për publikun ashtu edhe për artistët.
Cloud Fest: Ndërthur bashkëkohoren me modernen, shqiptaren me botëroren
Për 10 netë radhazi, do të udhëtojmë kulturalisht në vende shumë të afërta dhe po ashtu në shumë të largëta – nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit, në vende që kufizohen me Detin Kaspik dhe Malet e Kaukazit, Oqeanin Atlantik dhe Detin Mesdhe, Oqeanin Paqësor dhe Karaibet, Skandinavinë dhe Kanadanë. Mbi 100 artistë nga Azerbajxhani, Meksika, Maroku, Greqia, Turqia, Italia, Franca do të mblidhen në Tiranë për performanca të vallëzimit bashkëkohor, artit të performancës, muzikës, poezisë, bisedave, workshop-eve, prezantimeve, si dhe shfaqjeve festive me ansamble, orkestra, kore dhe DJ.
Tashmë një traditë për qytetin, ky festival nuk është thjesht një ngjarje kulturore, por një përvojë unike, e prekshme, që e shndërron Tiranën në një arenë ndërkombëtare të artit dhe dialogut kulturor. Nga data 21 deri më 31 maj 2025, instalacioni “Reja” do të shndërrohet në një epiqendër kulturore, një pikë takimi për të gjithë komunitetin e Tiranës dhe vizitorët e huaj, ku si kalimtarë të rastësishëm ashtu edhe ndjekës besnik do të mblidhen çdo natë për të gjetur jo vetëm argëtim, por edhe për të përjetuar përvoja kulturore – si ato me të cilat janë familjarë, si në rastin e muzikës tradicionale shqiptare, ashtu edhe për eksperienca të para me zhanre dhe kultura të tjera artistike, me të cilat, vit pas viti, njihen dhe kultivojnë shijen artistike.
Një pikëtakim nën Re
Viti 2025 shënon një moment historik për Tiranën, e cila së bashku me Aleksandrinë e Egjiptit do të mbajë titullin “Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut”. Në këtë kuadër, Cloud Fest do të shërbejë si një pikëtakim për artistë nga e gjithë zona e Mesdheut, por edhe përtej tij.
Ky bashkim kulturor do të jetë një festë, por edhe një mundësi për të ndarë histori, tradita dhe energji krijuese.
Shënojeni datën
Cloud Fest nuk është thjesht një festival, por një përvojë që ju fton të zbuloni, të ndjeni dhe të përjetoni artin në forma të ndryshme. Një rrugëtim që le pas rutinën dhe ju fton të këndoni, kërceni, argëtoheni, e të njihni njerëz e kultura të reja. Në zemër të Tiranës, për 11 ditë, Cloud Fest do të jetë festa që sjell gëzim, energji dhe një frymë ndryshe në qytet.
Reja është vendi dhe Cloud Fest është festa ku duhet të jeni çdo mbrëmje, nga data 21 deri më 31 maj.
Lini një Përgjigje