Cloud Festival, ose siç njihet ndryshe Festivali i Resë, është tashmë një traditë – një festival unik në zemër të Tiranës, i cili ndërthur “traditën me bashkëkohoren” si asnjë event tjetër që prej edicionit të tij të parë, në vitin 2017. Edicioni i 9-të, si të mëparshmit, vjen për 11 netë radhazi, nga data 21 maj deri më 31 maj, me një program të pasur, shumëngjyrësh dhe ndërkulturor. Ku hapësira brenda dhe përreth instalacionit REJA transformohet në një auditor artistik – një eksperiencë kulturore pa pagesë, për publikun e gjerë vendas dhe vizitorët e huaj të të gjitha grupmoshave. Mbi 100 artistë kombëtarë dhe ndërkombëtarë do të bashkohen për të krijuar një përvojë të paharrueshme për publikun.
Çfarë na pret këtë vit?
Festivali nis më 21 maj me performancën e dancit bashkëkohor “Njëmijë diej” nga Oktawia Ścibior & Samory Ba (Francë), pasuar nga tingujt e muzikës tradicionale azerbajxhanase – Mugham, që vjen për herë të parë në Tiranë, e sjellë nga ansambli i mirënjohur Mansum Ibrahimov dhe Ensemble Garabagh.
Gjatë ditëve në vijim, programi eksploron gjithçka: nga muzika më e mirë tradicionale shqiptare – nga veriu në jug, përfshirë ahengun shkodran, polifoninë labe, muzikën krutane me Pleqtë e Krujës – e deri tek etno-jazz-i, psychedelic blues dhe rebetiko, tradita e muzikës greke. Gjithçka e ndërthurur me kërcime bashkëkohore, workshop-e, performanca vizuale dhe picture. Artistë nga Azerbajxhani, Kanadaja, Franca, Maqedonia, Gjermania, Suedia, Italia, Austria, Meksika dhe Greqia do të sjellin një copëz nga krijimtaria e tyre në hapësirat e Reja.
Pikat kulmore për të mos u humbur:
- 22 maj: “Aheng Gjakovar” me Katerina grupet muzikore ‘Hadi Bajrami’, ‘Edi Furra dhe Lirikët’ dhe ‘Rilindja’
- 24 maj: Workshop flamenco dhe një koncert me motive mesdhetare nga Shamba-Sol-Buco
- 26 maj: Një natë klasike-pop nga Kori i Resë me “I Have a Dream, A Song to Sing” – një tribut nga Beethoven të ABBA
- 28 maj: Eksplorim muzikor nordik me Fågelle dhe “Psychedelic World Blues” nga POLA!
- 30 maj: Një mbrëmje e veҫantë me muzikë greke me të ftuar speciale këngëtaren Katerina Tsiridou
- 31 maj: Mbyllja madhështore me energjinë e Mariachi Romatitlán nga Meksika dhe performanca eksperimentale “Around the Table” nga Peter Miyalu
Përfshirje, diversitet dhe kreativitet
Cloud Fest ka për mision edukimin dhe shkëmbimin e eksperiencës, duke përfshirë publikun në proceset krijuese dhe duke i dhënë mundësi për argëtim e aktivitete edukative. Nga workshop-i i patinazhit mbi skenë te pikturat me mesazhe ndërvepruese për publikun.
Një nga ngjarjet më përfshirëse të këtij viti është “Cloud’s Rainbow – Pre Parade” më 24 maj, një aktivitet i dedikuar komunitetit LGBTQ+ dhe kulturës së diversitetit.
Cloud Fest është më shumë se një festival – është një manifestim i jetës urbane, një festë e përbashkët ku arti dhe njerëzit bashkohen për të frymëzuar njëri-tjetrin dhe për të festuar kulturat dhe zhanret e ndryshme artistike.
Si çdo vit: Hyrja falas!
REJA është vendi dhe Cloud Fest është festa ku duhet të jeni çdo mbrëmje, nga data 21 deri më 31 maj.
Lini një Përgjigje