Drejt “Zhdukjes” Kultivimi i Kërmillit – Përse Fermat Po Mbyllen?

1.3k 0

Disa vite më parë numri i atyre që vendosën të investonin në një fermë kërmilli pësoi rritje të ndjeshme nën “joshjen” e një biznesi me fitim.

Por gjatë rrugës jo të paktë ishin ata që u zhgënjyen duke e braktisur si aktivitet dhe sot sasia e kultivuar mbetet modeste. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë tregojnë se numri i fermave është tashmë më pak se pesë dhe po shkon drejt uljes ndërsa eksportet janë rreth 400 tonë.

“Kultivimi i kërmillit është i orientuar kryesisht nga eksporti. Vendi po prodhon 400 ton kërmij. Ka pak fermerë që kultivojnë kërmij dhe shitja e tij bëhet me një me çmim 4 euro për kg. Rendimenti është 12 ton për ha. Operatorët janë nga Durrësi dhe Fieri. Edhe pse prodhimi i kërmillit ka disa nënprodukte, pjesa më e madhe janë kërmijtë e freskët. Aktualisht kultivimi është thuajse inekzistent” thuhet në dokumentin e Ministrisë.

Sipas të njëjtit studim tregu i kërmijve është i orientuar kryesisht drejt eksportit të vjeljes së të egrit ndërsa kultivimi aktualisht ndiqet nga dy operatorë. Tregu ka një vlerë të përafërt prej 400 mijë euro që eksportohet. Në terma të volumit, vlera e eksportit është në stanjacion. Pjesa kryesore e eksportit është drejt industrisë kozmetike ndërsa një pjesë tjetër e prodhimit shitet edhe në tregun e brendshëm. Kryesisht restorantet blerjet e tyre i kanë direkte për kërmij që nuk janë të kultivuar por të mbledhur në natyrë. Nuk ekziston sot një treg i brendshëm për kërmijtë për qëllime jo ushqimore.

“Kultivimi i kërmillit ka  nevoja për frigoriferë, rrjeta dhe struktura për fermat, makineri të vogla për përgatitjen e tokës. Megjithatë, gjatë viteve të fundit një pjesë e madhe e operatorëve të sektorit kanë mbyllur aktivitetin e tyre dhe numri i fermave është zvogëluar nga më shumë se 10 deri në më pak se 5” thuhet në dokument.

Ecuria e dobët pa ndonjë interes për tregun e kërmijve ka bërë që nga ana e ekspertëve të sugjerohet që nëse do të ketë masa mbështetëse kultivimi i kërmijve të mos jetë pjesë e tij.

Dokumenti sqaron se në rastin e kërmijve kërkohen pak investime përveç mbështetjes me ngritjen e kapaciteteve dhe informacionin për tregun. Po kështu kërkohet rritje e qëndrueshme në kapacitetin menaxhues dhe njohuritë teknike, si dhe mbështetje për rritjen e aksesit në tregje kërkohet./Burimi:Monitor